Më 20 mars 1920 lindi në Elbasan Qemal Stafa. Në vendlindje do qëndronte fare pak, pasi në moshën 3-vjeçare u zhvendos me familjen drejt Shkodrës, shtrënguar prej detyrimeve të zakonta të shërbimit, që parashikon rroba ushtarake e mbajtur prej Hasanit, të atit të Qemalit. Mësimet fillore i ndoqi në Kolegjin Saverian të Etërve Jezuitë deri në vitin 1933, kohë kur nisi të zbatohej “Reforma Ivanaj”, e cila çoi në kyçjen e shkollave private dhe klerikale. Në këto kushte, do të vijonte edukimin në gjimnazin e Shkodrës. Pasi humbi të atin në verën e vitit 1936, shpërngulet drejt Tiranës, ku regjistrohet në gjimnazin shtetëror. Më 24 janar 1939, do të arrestohej dhe togat e zeza do ta shpallnin të fajshëm “për veprimtari subversive komuniste”, së bashku me 73 të pandehur të tjerë. Dënohet me tre vjet burgim, por arrin të lirohet më 7 prill, në valën e trazirave në vend. Stafa ishte një prej themeluesve të grupit komunist të Shkodrës, anëtar i Komitetit Qendror, sekretar politik i të rinjve dhe kandidat për Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Gjithashtu, nën pseudonimin letrar “Brutus”, shkroi poezi dhe përmbajtje letrare që u përmblodhën në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”. Më 5 maj 1942 mbeti i vrarë në një lagje periferike të Tiranës. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi sot një fotografi të Qemal Stafës së bashku me një grup partizanësh. Ndërsa, në dokumentet bashkëlidhur paraqitet një dorëshkrim i tij me titull “Qëllimi ynë”. atsh