Trajneri i Kombëtares, Sylvip Mendes Campos Junior, ka dalë sot në një konferencë për median në Shtëpinë e Futbollit një ditë pasi shpalli listën me lojtarët e grumbulluar për ndeshjen ndaj Polonisë. Tekniku, i cili do të debutojë në stolin kuqezi me ndeshjen e parë të kualifikueseve Euro 2024 në Varshavë më 27 mars, ka folur për zgjedhjet e tij dhe pritshmëritë që ka në këtë sfidë. Sylvinho ka folur për mungesat, skemat e mundshme, ambientimi në Shqipëri apo edhe për objektivat që ka me skuadrën kuqezi. Në fillim, ai përshëndeti të gjithë të pranishmit në gjuhën shqipe “mirëmëngjes” e më pas foli për punën e bërë deri më tani, duke vijuar më tej edhe me pyetjet e gazetarëve. “Para së gjithash është nder për mua të jem këtu si trajneri i Shqipërisë. Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Falënderoj FSHF-në për mundësitë që na ka dhënë për shkuar kudo nëpër Europë dhe më tutje për të vizituar lojtarët dhe për të ndjekur ndeshje. Kemi dy muaj që punojmë në mënyrë intensive.Kemi parë rreth 240 ndeshje ku janë aktivizuar lojtarët shqiptarë. Kemi parë rreth 70 lojtarë që janë në xhiron e Kombëtares e që jenë marrë në vlerësim nga stafi teknik. Një punë e madhe për të arritur te lista me 23 lojtarë. Mendoj që kjo është lista e përzgjedhur për një ndeshje.Jam shumë i lumtur edhe për kushtet që ma janë vënë në dispozicion. Tani kemi edhe Shtëpinë e Futbollit gati me të gjitha kushtet. Tani jetoj në Tiranë, jam shumë i kënaqur për këtë fakt. Patëm një stërvitje edhe me Shqipërinë U-17 për të testuar të gjithë infrastrukturën dhe jemi gati për të pritur lojtarët që të nisim stërvitjen këtu. Jemi gati për ndeshjen me Poloninë. Prurjet e reja dhe skema, Sylvinho tha se “Mehmeti është i ri, por po bën një rrugëtim të mirë në Championship. Ai është shumë i aftë teknikisht, një lojtar i fortë dhe në formë të shkëlqyer. Mund të përmirësohet akoma edhe më shumë sepse është ende i ri. Asani është një mëngjarash, një mesfushor sulmues. Kemi shumë nevojë për një lojtar mëngjarash në fazën sulmuese. Ai ka bërë shumë mirë në Hungari dhe sot realizoi tre gola me skuadrën e tij në Korenë e Jugut. E kemi vëzhguar më kujdes Asanin, Mehmetin, por edhe shumë lojtarë të tjerë”. Objektivi me Poloninë, Sylvinho tha se “sipas meje kështu është puna në Kombëtare. Kemi marrë 23 lojtarë, mbase më vonë do na duhet të bëjmë ndonjë ndryshim për shkak të dëmtimeve eventuale. Shohim shumë lojtarë, të gjithë janë të rëndësishëm. Të ecim përpara dhe mendoj se duhet të luftojmë për çdo pikë, në çdo fushë. Vetëm kështu mund të kualifikohemi. Polonia është e fortë, një Kombëtare e rëndësishme. Ata janë mësuar të luajnë në Kupa Bote apo Europian, por ndeshja është e gjitha për t’u luajtur. Kemi shtatë ditë për t’u përgatitur, do shkojmë atje me shumë dëshirë për të bërë një ndeshje të bukur. E theksoj se çdo pikë për ne është e rëndësishme. Duhet të luajmë me shpirt dhe zemër, sepse kështu luhet futbolli. Dakort, është pjesa e taktikës apo teknikës së lojtarëve, ne kemi lojtarë të fortë teknikisht, por është diçka tjetër më e rëndësishme, shpirti i garës dhe zemra që vendos në fushë. Është shumë e rëndësishme për rrugëtimin tonë, jo thjeshtë për një ndeshje. Sigurisht do të luftojmë për çdo pikë”. “Më pëlqen një gjë e tillë. Futbolli është i bukur edhe për këtë, është e rëndësishme të kemi lojtarë që japin zemrën dhe shpirtin në fushë. Teknologjia ka avancuar, ndoshta nuk od të shkruaj një letër, por do e bëjmë një gjë të ngjashme, çdo lojtar kur të vijë në Kombëtare do t’u tregojë diçka të rëndësishme për t’i motivuar që ata të kuptojnë shpirtin që ne kërkojmë këtu. Nuk mund të them më shumë, por do të ketë diçka të ngjashme”, tha ai. atsh