Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVA​Kurti:Marrëveshja bazë Kosovë-Serbi avancon marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve

​Kurti:Marrëveshja bazë Kosovë-Serbi avancon marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalimit të sotëm në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në tha se Kosova në dialog me Serbinë mbetet e përkushtuar, konstruktive dhe kreative. Kryeministri tha se marrëveshja bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën avancim të marrëdhënieve dy vendeve. “Sa i përket dialogut me Serbinë ne jemi të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ. Ne besojmë se marrëveshja bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përbën një avancim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ne i qëndrojmë parimit universal që mbështet marrëveshja si ai i respektimit të integritetit territorial, dhe kundërshtimeve për anëtarësimin e Republikës sonë në organizatat ndërkombëtare, shkëmbimi i misioneve diplomatike nëpërmjet ambasadorëve, njohja e simboleve shtetërore, pasaportave, etj”, tha ai. Kurti foli edhe për drejtat e pakicave në Kosovë, me ç’rast, tha se Kushtetuta e Kosovës ofron kornizën e duhur për respektimin e të drejtave të pakicave. “Sa i përket të drejtave të pakicave në Kosovë, ne jemi të bindur se Kushtetuta jonë e cila parasheh zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe traktateve të tjera ndërkombëtare ofron kornizën e duhur për respektimin e të drejtave të pakicave dhe forcimin e tyre sipas nevojës”, u shpreh ai. Gjatë fjalimit, kryeministri i Kosovës foli edhe për liberalizimin e vizave, me ç’rast, tha se PE ka qenë zë mbështetës në këtë drejtim. Kurti tha se shpresojnë që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza në Evropë deri më 1 janar 2024. “Ky Parlament dhe disa deputetë shumë të zëshëm kanë bërë thirrje për liberalizimin e vizave gjatë gjithë viteve dhe kanë insistuar në rëndësinë e kësaj teme. Parlamenti Evropian mbeti gjatë gjithë kohës një zë konstruktiv dhe mbështetës. Javën e kaluar festuam vendimin e këshillit për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndërsa presim hapat e mbetur, të cilët përfshijnë miratimin e parlamentit, ne besojmë dhe shpresojmë që qytetarët tanë do të jenë në gjendje ashtu si pjesa tjetër e vendeve të Ballkanit Perëndimor të udhëtojnë pa viza në Evropë deri më 1 janar 2024”, vijoi ai. Ndër të tjera, kryeministri Albin Kurti nënvizoi se mbështetjen që ka pasur Kosova nga Parlamenti Evropian i paraprin Pavarësisë së vendit. Ai shtoi se njohja për luftën për të drejtat e njeriut që Kosova ka marrë pikërisht nga Parlamenti Evropian, ka qenë një shtyllë e rëndësishme në historinë e suksesit të vendit. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments