Roma ka paraqitur kandidaturën e saj për të mirëpritur Panairin Universal 2030. Ambasadori i Italisë në vendin tonë, Fabrizio Bucci shpreh besimin se, Italia do të ketë votën e Shqipërisë, vjeshtën e ardhshme në Paris, në favor të kandidaturës së Romës, edhe për shkak të marrëdhënieve miqësore, por edhe lidhjeve ekonomike dypalëshe. “Mjafton një shëtitje në zemër të Romës për të kuptuar se e meriton vërtet të quhet qytet i përjetshëm. Historia e saj është një rrjedhë e pandërprerë mes së shkuarës dhe së tashmes, një ndërthurje e çmuar për studiuesit, unike për banorët, magjepsëse për vizitorët nga e gjithë bota. Prej pothuaj tre mijë vjetësh kryeqyteti i Italisë jep shembullin e vazhdimësisë, aftësisë për t’ju përshtatur ndryshimeve dhe për të rikrijuar të tashmen e tij. Këtë e dëshmon pasuria e madhe artistike e saj, tregues i përshtatjes së Romës, ndaj ndryshimit të rrethanave përgjatë mijëvjeçarëve. Tashmë ky qytet paraqet kandidaturën e tij për të mirëpritur Panairin Universal 2030”, shprehet në një shkrim të tij, ambasadori Bucci. Ai shkruan se, që prej lashtësisë, Roma ka ditur të çajë rrugën drejt zhvillimit duke gjetur zgjidhje përparimtare për nevojat e komuniteteve të saj (një milion banorë në epokën e Perandorit August). Sipas tij, mjafton të përmendim këtu rrjetin futurist të ujësjellësit që i dha Romës titullin “Regina Aquarum” (mbretëresha e ujërave), apo rrjetin kryesor rrugor që lidhte qytetin e përjetshëm me qarqet e gadishullit dhe ato të Perandorisë (të gjitha rrugët të çojnë në Romë). “Vizioni që Roma dëshiron t’i japë Panairit bazohet pikërisht në aftësinë e saj për të interpretuar trashëgiminë e së shkuarës dhe të së tashmes me vështrimin drejt së ardhmes”, deklaron ambasadori. Në mbështetje të kandidaturës së saj, thotë ambasadori, Roma ka zgjedhur një slogan të qartë me vështrimin si drejt së tashmes ashtu edhe drejt së ardhmes: “Njerëz dhe territore: rilindje urbane, gjithëpërfshirje dhe novacion”. Ai thekson se, tema materializon një sfidë të përbashkët për të gjitha vendet e komunitetit ndërkombëtar dhe që u referohet rekomandimeve të Kombeve të Bashkuara të parashikuara në axhendën 2030. “Një zgjedhje që ka të bëjë me botën mbarë. Kjo zgjedhje priret të prekë sektorë si zhvillimi dhe rilindja e territoreve tona të kërcënuara nga ndryshimet klimatike dhe nga pasojat e tyre shkatërruese; diversiteti dhe gjithpërfshirja e komuniteteve tona; qëndrueshmëria e grupimeve urbane dhe e ekonomisë qarkulluese; decentralizimi dhe lëvizshmëria në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar; ndërlidhja digjitale si mjet zhvillimi ekonomik dhe social. Expo Roma 2030 synon të trajtojë këto çështje, të nxisë përballjen, të përcaktojë një rrugëtim dhe zgjidhje të përbashkëta”, thotë ai. Bucci shprehet se, Roma synon t’i bëjë ballë këtij rrugëtimi duke ofruar një bashkëpunim konkret që me Expo-n do të shënojë pikëmbërritjen e tij, ndërsa gjatë viteve që na ndajnë nga ky takim i rëndësishëm do të bëhet i mundur realizimi i projekteve dhe nismave të përbashkëta të fokusuara në përvojat e ndryshme si edhe në nevojat me karakter kombëtar. “Vendi i përzgjedhur për të mirëpritur World Expo 2030 ndodhet në një zonë në hyrje të Romës e cila ndërlidhet me disa prej qendrave historike të qytetit, shumë pranë njërit prej kampuseve universitare të Romës, e që do të shërbejë si pikë takimi me komunitetin e gjerë shkencor të kryeqytetit të Italisë. Aktiviteti, masterplani i të cilit është realizuar nga arkitekti Carlo Ratti, synon të vendosë standarde të reja qëndrueshmërie, nëpërmjet eliminimit të çlirimit të CO2, ricklimit të materialeve, respektimit të ciklit të jetës së ujit, ajrit dhe të energjisë. Pra, me një fjalë, të jetë jo vetëm një zonë e pavarur por edhe të krijojë e t’u ofrojë energji të pastër territoreve të tjera”, shprehet ambasadori. Roma, thotë Bucci, është gjithashtu në qendër të një sistemi transporti unik në botë. Nga aeroporti i saj mund të arrihen, në më pak se dy orë fluturim, kryeqytetet kryesore evropiane, ato të vendeve të Ballkanit, të Afrikës Veriore dhe të Lindjes së Mesme si edhe, në tre orë, çdo destinacion i të gjithë pellgut euromesdhetar, nga Ankaraja në Beirut e në Kajro. Roma është gjithashtu kryeqyteti botëror i diplomacisë. Në të ndodhen selitë diplomatike të 139 vendeve të ndryshme, krahas atyre të akredituara pranë Selisë së Shenjtë dhe në San Marino. Në të ndodhen gjithashtu më shumë se 130 përfaqësi të Polit Ushqimor të OKB-së (FAO – IFAD – PAM) dhe të tjera të akredituara pranë Urdhrit të Maltës. Gjithsej në Romë ndodhen 430 ambasada dhe pothuaj 3 mijë diplomatë, pa llogaritur këtu Institutet e Kulturës. Roma është edhe vendi i jashtëzakonshëm ku gëlojnë veprimtaritë shoqërore, seli e Shoqatava të shumta kulturore dhe e OJQ-ve veprimtaria e së cilave shkon nga solidariteti tek asistenca, nga edukimi tek promovimi i formimit teknologjik, nga sektori agro-ushqimor tek promovimi i mbrojtjes së mjedisit. “Logoja e Roma 2030: është një hark i stilizuar, që ndryshon ngjyrë dhe u jep jetë kombinimeve nga më të shumllojshmet. Përfaqëson qëndrueshmërinë, elegancën e monumenteve të lashta romake dhe të tashmen magjepsëse digjitale. Harku mundëson hyrjen, është një portë e hapur për prurje të reja e të ndryshme. Përbën gjithashtu edhe një rrugëtim të përbashkët, një sërë mundësish sikurse krijimi bashkërisht i pavioneve të ndryshme me karakter kombëtar. Roma pret që nën këtë hark të kalojnë, në vitin 2030, 30 milionë vizitorë, të cilët do të kenë mundësi të admirojnë pavionet e 150 vendeve”, shpjegon ambasadori. Ai thotë se, Roma është një vend i dashur për të gjithë shqiptarët, një vend që “bie era shtëpi”. “Në Itali, në fakt, jetojnë më shumë se 700.000 shtetas shqiptarë. Pjesa më e madhe e tyre ka mbërritur dhe është integruar në 30 vitet e fundit. Përveç tyre është edhe komuniteti arbëresh i cili ka ruajtur, ndër shekuj, gjuhën dhe identitetin e tij kulturor. Marrëdhëniet e ngushta dypalëshe, në çdo fushë, mes Italisë dhe Shqipërisë, bëjnë që Roma të jetë pikësynim i natyrshëm për çdo shqiptar, e gatshme, si gjithmonë, të mirëpresë shtetasit, institucionet, sipërmarrjet dhe çdo përfaqësues të Vendit të Shqiponjave që do të vizitojnë Expo 2030”, deklaron ambasadori Bucci. Për Shqipërinë, shprehet ndër të tjera ambasadori, Italia vijon të jetë palë e privilegjuar. “Italia, në 20 vitet e fundit, është donatori i parë në rrafshin e marrëdhënieve dypalëshe, është partneri kryesor tregtar (shkëmbimi mes dy Vendeve arrin shifrën rekord prej 3.6 miliardë euro, që përbën pothuaj 29% të shkëmbimit të përgjithshëm për vitin 2022) si edhe një ndër investitorët më të rëndësishëm në Vendin e Shqiponjave (në 2022 shuma e investimeve direkte italiane ka tejkaluar shifrën prej 1 miliard euro, që përkon me rreth 7% të PBB kombëtar). 2.675 sipërmarrjet, me ortak italian, në Shqipëri, bëjnë që Italia të renditet në vend të pare, për sa u përket numrit të shoqërive të huaja aktive në vend (40%). Në thelb, ekonomitë e Italisë dhe Shqipërisë janë të lidhura ngushtë. Është kjo arsyeja për të cilën mbajtja e Expo 2030 në Romë që, sipas vlerësimeve të Komitetit organizator do të gjenerojë një vëllim tregtar prej të paktën dyzet miliardë euro, do të jetë edhe në dobi të Shqipërisë”, shprehet ai. Bucci informon se, sipas të dhënave më të fundit, shqiptarët në Itali deklarojnë pranë autoriteteve tatimore italiane më shumë se 3.3 miliardë euro në vit (rreth 25% të PBB shqiptare), shumë kjo pak më e ulët se i gjithë buxheti publik i Shqipërisë e që përkon me 33% të PBB të Shqipërisë. “Dy tregues të tjerë na ndihmojnë të kuptojmë peshën ekonomike dhe shoqërore të komunitetit shqiptar. I pari ka të bëjë me sipërmarrjen. Komuniteti shqiptar rezulton të renditet në vendet e para për sa i përket numrit të titullarëve të sipërmarrjeve individuale. Më 31 dhjetor 2021 numri i sipërmarrjeve individuale me pronar shqiptar arrin në 35.561 duke regjistruar një shtim të numrit të sipërmarrjeve me 831 (+ 2,4%) krahasuar me të dhënat e përditësuara më 31 dhjetor 2020 -, pavarësisht pandemisë dhe pasojave të saj mbi ekonominë – duke përfaqësuar kështu rreth 9% të sipërmarrësve jo komunitarë në Itali, një numër në rritje me rreth 5% krahasuar me vitin 2019”, thotë ai. Duke iu referuar sektorëve të veprimtarisë ekonomike, sipas ambasadorit, rreth 80% e sipërmarrjeve individuale shqiptare është e përqendruar në fushën e ndërtimit (68%), në atë të tregtisë dhe transportit (7,6%) si edhe në sektorin e shërbimeve (5,1%), sektorët kryesorë që do të nxiten nga EXPO 2030. “Treguesi i dytë lidhet me dërgesat e parave nga Italia drejt Shqipërisë. Në 2020 Shqipëria renditet në vendin 13, si vend përfitues i dërgesave nga Italia me mbi 170 milionë euro të dërguara (2,5% i shumës së përgjithshme të dërgesave). Nga të dhënat e parashtruara më lart, shihet qartë se përse, gjatë vizitës në Tiranë (7 – 8 shtator 2022), Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, vuri theksin pikërisht në forcimin e lidhjeve nga komunitetet shqiptare që jetojnë në Itali, sikurse dhe nga ato italiane në vendin e shqiponjave duke u shprehur se : ekzistojnë të gjitha kushtet për të rritur më tej bashkëpunimin dhe investimet italiane në Shqipëri, nevojë kjo e shprehur edhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Begaj”, deklaron ambasadori. Për të gjitha këto arsye, Bucci shpreh besimin se, Italia do të ketë votën e Shqipërisë, vjeshtën e ardhshme në Paris, në favor të kandidaturës së Romës. “Mbështetjen e Shqipërisë e konsiderojmë si diçka mëse të natyrshme, parë, sidomos, në këndvështrimin e anëtarësimit, në të ardhmen, në Bashkimin Evropian, një rrugëtim që Italia e ka mbështetur gjithmonë dhe në të cilin ka besuar plotësisht, edhe atëherë kur ishin të pakta ato vende që besonin në të, në emër të një miqësie të thellë e të sinqertë që shkon përtej kufijve të vendeve tona”, thotë ai. atsh