Kryeministri britanik, Rishi Sunak këmbënguli se forcat e armatosura të vendit të tij kishin fondet e nevojshme për një botë më të paqëndrueshme, përballë sfidave në rritje të paraqitura nga Kina dhe Rusia. Sunak premtoi një fond shtesë prej 5 miliardë £ (6.05 miliardë dollarë) për ushtrinë gjatë dy viteve, por nuk arriti të përmbushë kërkesat e konservatorëve për të shpenzuar 3% të produktit të brendshëm bruto (PBB) të Britanisë se Madhe për mbrojtjen. Shuma të konsiderueshme të parave të premtuara do të përdoren për rimbushjen e rezervave të municioneve të dorëzuara në Ukrainë dhe projektin AUKUS për zhvillimin e nëndetëseve me energji bërthamore për Australinë. Ky financim afatshkurtër është vetëm gjysma e asaj që thuhet se kishte kërkuar Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace pasi buxhetet ushtarake është kufizuar nga ndikimi i pushtimit të Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin dhe inflacioni i lartë. “Është e qartë se bota është bërë më e paqëndrueshme, dhe kërcënimet për sigurinë tonë janë shtuar”, tha Sunak duke folur në anijen muzeale “USS Midway”, në portin e Kalifornisë. “Dhe kjo është arsyeja pse ne po investojmë 5 miliardë £ më shumë në forcat tona të armatosura gjatë dy viteve të ardhshme dhe po rrisim shpenzimet tona të mbrojtjes në 2,5% të PBB-së, në mënyrë që të vazhdojmë të jemi lider botëror kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe mbajtjen e vendit të sigurt”, tha Sunak. atsh