Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, drejtori për bashkëpunim i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Sergiy Maslichenko dhe kryeshefi ekzekutiv i NP “Termokos”, Fisnik Osmani nënshkruan sot marrëveshjen për financimin e projektit “Solar 4 Kosovo”. Bazuar në këtë marrëveshje, siç informoi komuna e Prishtinës, BERZh do të financojë me një kredi prej 23.2 milionë euro projektin “Solar 4 Kosovo”, i cili do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Evropë dhe i pari në rajon, që do të sigurojë kapacitete shtesë termike, përmes shfrytëzimit të energjisë diellore. Nëpërmjet vendosjes së paneleve solare në një hapësirë prej 58 mijë metrave katrorë do të rriten kapacitetet për 50 MW për të furnizuar me ngrohje edhe 12 mijë konsumatorë të rinj. Realizimi i këtij projekti do të mundësojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes edhe për një pjesë të lagjes “Arbëria” dhe “Tophane”. Projekti “Solar 4 Kosovo” do të financohet nga grantet e Qeverisë Gjermane dhe BE-së nëpërmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) në vlerë të 31.6 milionë eurove dhe 21.5 milionë eurove, si dhe nga një kredi e butë nga BERZh-i në vlerë të 23.2 milionë eurove. atsh