Mesazhe sensibilizuese kundër dhunës ndaj grave u përcollën sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas përmes instalacionit “Këpucët e kuqe”. Dhjetëra këpucë të kuqe u vendosën në sheshin “Nënë Tereza”, në Tiranë, si protestë dhe kujtim i të gjitha grave që kanë humbur jetën prej dhunës. Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Në ditën Ndërkombëtare të Grave, instalacioni “Këpucët e kuqe” përcjell një simbolikë prekëse dhe thirrje për të ndaluar dhunën ndaj grave dhe solidarizim me viktimat që shkakton ajo. Ideja e këpucëve të kuqe daton vite më parë, kur artistja meksikane Elina Chauvet filloi instalacionin “Los Zapatos Rojos” në nder të motrës së saj, që humbi jetën si pasojë e dhunës në familje. atsh