Qeveria e Kosovës ka shpallur konkurs ndërkombëtar për Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi, zgjati edhe për dy vite afatin e aplikimit për statusin e personave të dhunuar gjatë luftës. Ndërkaq, emëruan Gazmend Hoxhën drejtorin e ri të Policisë së Kosovës, si dhe miratuan Projektligjin që rregullon çmimin e produkteve medicinale. Kryeministri Albin Kurti, tha se me projektin për Kompleksin memorial në Prekaz do të jetësohet vizioni i përbashkët të përfaqësimit të drejtë e të duhur të historisë heroike dhe sakrificës së familjes Jashari për çlirimin e Kosovës. “Vitin e kaluar jemi kujdesur që të konsolidohet gjendja fizike e ndërtesave në këtë kompleks e falë ndërhyrjeve emergjente, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar. Kompleksi Memorial është pasqyrë e jona, pasqyrë në të cilën e shohim veten tonë, përmes së cilës na shohin të tjerët, aty e gjejmë lavdinë e djeshme, forcën për nesër. Me këtë projekt do të jetësojmë vizionin e përbashkët të përfaqësimit të drejtë e të duhur të historisë heroike, sakrificës së papërsëritshme dhe kontributin e pashoq të Familjes Jashari për çlirimin e vendit tonë”, tha ai. Më konkretisht, pas mbledhjes së qeverisë, këtë projekt e sqaroi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku. Ai tha se i njëjti do të realizohet në disa faza përmes një procedure të hapur të aplikimit me propozime ideore. “Do të jetë procedurë e hapur dhe do të realizohet në një fazë ku operatorët aplikojnë me propozime ideore. Juria vlerësuese e cila do të përbëhet nga profesionistë vendor dhe të jashtëm bënë përzgjedhjen e tre propozimeve më të mira. Vendi i parë e nënshkruan kontratën për hartimin e projektit për kompleksin memorial Adem Jashari, vendi i dytë shpërblehet me 80 mijë euro dhe vendi i tretë shpërblehet me 60 mijë euro. Projekti zbatues do të realizohet në disa faza në një periudhë disa vjeçare, ndërsa faza e parë përfshinë hartimin e projektit dhe zbatimin e projektit të konzervimit dhe interpretimit për kullat e familjes Jashari, respektivisht kullat e rezistencës. E fundit, në momentin që do të nënshkruhet kontrata për hartimin e këtij projekti do të nis edhe procedura për shpronësimet e nevojshme, gjithnjë sipas ndërhyrjeve që do të parashihen në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz”, theksoi ai. Në mbledhjen e qeverisë i është zgjatur mandati Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës. Kurti duke iu bërë thirrje personave të dhunuar gjatë luftës që të aplikojnë për statusin e tyre, tha se ata kanë nevojë për drejtësi dhe përkrahje shoqërore. Ai bëri të ditur se aplikimi do të jetë i hapur deri në muajin maj të vitit 2025. “Nga këtu iu bëj thirrje të mbijetuarave dhe të mbijetuarave që të aplikojnë dhe të realizojnë të drejtën e tyre të garantuar me ligj në një proces i cili është konfidencial. Të mbijetuarit e dhunës seksuale, gra dhe burra kanë nevojë për drejtësi dhe për përkrahjen tonë shoqërore për të luftuar stigmën që ende përballen”, deklaroi ai. Ndërkaq, pasi emëruan drejtor të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhën, kryeministri Kurti tha se policia duhet të ofrojë zbatim të ligjit në mënyrë profesionale dhe efikase. Aty u tha se i tërë procesi ka shkuar në rregull dhe se janë respektuar gjitha kriteret ligjore. Në listën e ngushtë për drejtorë të Policisë ishin edhe Granit Fetahu dhe Bahri Shala. “Policia e Kosovës duke qenë një nga institucionet më të besuara në vend është e domosdoshme të vazhdojë pandërprerë përmbushjen e misionit të saj. Pra të ofrojë zbatim të ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase”, tha ai. Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi kërkesën e Ministrisë së Financave që të subvencionohen me 1.5 milionë euro të gjithë punëdhënësit e sektorit privat, që u kanë rritur pagat punëtorëve të tyre në bazë të pakos së ringjalljes ekonomike. Po ashtu i dhanë dritë të gjelbër edhe disa shpronësimeve në magjistralen Kijevë-Zahaq dhe Kijevë-Dollc. Paraprakisht, në hyrje të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Kurti uroi gratë për 8 marsin, derisa theksoi se janë të përkushtuar që përmes politikave demokratike dhe sociale të lehtësojnë barrën e padrejtësive që gratë mbajnë mbi supet e tyre. “Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, të të gjitha grave, nderojmë sukseset, që ato i kanë arritur historikisht. Sot e çdo ditë nderojmë kontributin e grave, që nuk janë më dhe luftojmë bashkë me gratë dhe vajzat për më shumë të drejta e barazi. Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike e sociale, që e lehtësojnë barrën e padrejtësive, që gratë mbajnë mbi supet e tyre. Vazhdojmë përpjekjet dhe betejën për barazi shoqërore, për barazi gjinore”, tha ai. atsh
Konkursi ndërkombëtar për Kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz
RELATED ARTICLES