Zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muça deklaroi sot nuk ka asnjë vendim për shembje banesash të 50 viteve më parë, por qeveria po harton një projektvendim për auditimin teknik për të gjitha objektet të cilat kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar. Në një deklaratë për mediet së bashku me drejtorin e Institutit të Ndërtimit, Artan Shkreli, zv/ministrja u shpreh se ky proces do të kryhet në mbështetje të interesit më të lartë të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. “Ky projekt nuk ka të bëjë me shembje banesash por ka qëllim të rregullojë procedurat ligjore për një auditim të gjendjes së tyre fizike dhe të qëndrueshmërisë së tyre fizike. Bëhet fjalë për një proces tërësisht ligjor të nisur pas tërmetit të vitit 2019”, tha ajo. Projektvendimi, vuri në dukje zv/ministrja, është ende në fazën e konsultimit. Edhe kreu i Institutit të Ndërtimit siguroi se nuk do të ketë prishje banesash, por evidentim të gjendjes së tyre. “Auditi ka për qëllim evidentimin e gjendjes së objekteve. Nëse objekti nuk garanton jetën e qytetarëve, shteti ka detyrimin për të ndërhyrë dhe sjellë atë në normat e sigurisë. Në rastin konkret normat sizmike”, tha Shkreli. Ai rikujtoi se qeveria e ka marrë këtë angazhim 2 muaj pas tërmetit të 2019-ës, kur deklaroi se me përfundimin e procesit të rindërtimit do të nisë procesi i auditit, që të minimizohet dhe të evitohen mundësisht humbjet jetësore dhe dëmet material. “Procesi nuk është proces i ri, ka filluar mbi dy vjet më parë, është miratuar në Kuvend një amendim i ligjit për disiplinimin e kontrollin e punimeve, dhe ndërtimit. Të gjitha objektet që kanë një moshë mbi gjysmë shekullore, duhet t’i nënshtrohen një auditi teknik, që do të nxjerrë në pah çfarë patologjish kanë, dhe nëse nxjerrin në pah patologji të rënda, këto objekte shteti ka për qëllim të ndërhyjë dhe t’i sjellë në norma. Jemi në një proces ku aktet nënligjore po përfundohen. Me përfundimin e procesit të rindërtimit që pritet të përmbyllet brenda këtij viti, i hapet rrugë nisjes së auditimit që i shërben rritjes së cilësisë së stokut të banesave. Ne nuk e dimë se në çfarë gjendje fizike ndodhen. Ka mjaft objekte në Tiranë dhe ne si IN kemi mjaft ankesa të njerëzve, që nuk kanë siguri si rezultat i ndërhyrjeve në katet e para të banesave të paautorizuara”, tha ai Sipas Shkrelit, ky proces është i panjohur për një pjesë të administratës. Ai theksoi se procesi do të udhëhiqet nga qeverisja vendore dhe do të merret me ekspertimin, ndërsa Instituti i Ndërtimit do të merret me certifikimin e këtij auditimi “Jemi të vonuar në këtë proces. Procesi duhet të kishte nisur më parë, kur kanë filluar shenjat e degradimit, gjë të cilën Europa e bën rregullisht. Ne kemi një stok që duhet marrë i gjithi në konsideratë“, u shpreh ai. Në fazën e dytë, theksoi kreu i IN-së, do të implementohet mirëmbajtja nga ana e bashkisë, e rregulluar kjo me akte normative ligjore, ku përgjegjës do të bëhen administratorët e pallateve. “Ky nuk është një proces, i cili ka për qëllim shembjen e objekteve”, deklaroi Shkreli. atsh
Shkreli: Jo shembje banesash, auditim teknik të objekteve mbi 50-vjeçare
RELATED ARTICLES