Sunday, November 24, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURERikonstruksioni i “Mitropolisë”, një atraksion më shumë për Korçën

Rikonstruksioni i “Mitropolisë”, një atraksion më shumë për Korçën

Kisha “Burimi Jetëdhënës”, ose siç njihet ndryshe Mitropolia e Korçës, është duke u rilindur dhe me përfundimin e saj qytetit do i rikthehet një vlerë e çmuar historike, kulturore dhe arkitekturore. Prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, ka bërë një vizitë në objektin në rikonstruksion e sipër, shoqëruar nga inxhinieri Dhimitri Kondakçi, i cili ka një përvojë të gjatë pune, në restaurimin dhe ndërtimin e rreth 36 kishave të tjera. Mitropolia është një nga ndërtesat më emblematike të Korçës. Kthimi i saj në identitet, do sjellë jo vetëm një objekt kulti tërësisht funksional por edhe një atraksion turistik më shumë për vendas e të huaj. Ajo nisi të ndërtohej në vitin 1927 dhe përfundoi në 1936 si një katedrale e tipit bazilikal, sipas projektit të hartuar nga inxhinieri Nastas Pilina. Ndërsa, projekti i restaurimit si dhe rikonstruksioni i plotë është hartuar në vitin 2019 nga inxhinier Dhimitri Kondakçi, i cili është edhe zbatuesi i punimeve. Prefekti Jole thotë se, inxhinier Kondakçiu i është përkushtuar punës për rikthimin në identitet të një vepre kaq unikale e madhështore. Kjo kishë është ngritur mbi vendin e kishës së vjetër katedrale. Për përfundimin dhe plotësimin e kishës aso kohe kontribuoi populli i Korçës e filantropë si Thoma Turtulli por edhe dhurues nga diaspora, P.Thomai, S.Kostandiniu, etj. Vlerat e mbetura të katedrales së vjetër, si ikonastasi i mrekullueshëm, amvoni froni episkopal, ikonat e të talentuarve vëllezër Konstandin dhe Athanas Zografi, u vendosën dhe u adaptuan në katedralen e porsangritur. Pikturimi i mureve, kupolave si dhe një pjesë e ikonave është kryer nga motrat Zengo, babai i tyre Vangjeli si dhe piktori tjetër Dallta. Kjo kishë ishte aq madhështore, sa konsiderohej më e madhja dhe më e bukura kishë ortodokse në Shqipëri, për të cilën korçarët me të drejtë krenoheshin. Në vitin 1967 kësaj kishe iu mbyllën dyert. Pas kësaj me ndërhyrjen e shumë të nderuarit studiuesit Theofan Popa, ajo u kthye në shpëtimtare për grumbullimin e ikonave që mbeten pa u djegur, dhe pas viteve 1970 ajo do të adoptohej në muze të artit mesjetar. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments