Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bëri të ditur se, “qeveria miratoi sot një prej dokumenteve më të rëndësishëm të financimit të bujqësisë, skemën kombëtare të mbështetjes së bujqësisë për vitin 2023, që mundëson subvencionimin e fermerëve në të gjithë vendin”. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, në një deklaratë për mediet, ministrja Krifca informoi se, “këtë vit me një buxhet të shtuar në 3,313 miliard lekë do t’i vijmë në ndihmë blegtorëve, bletarëve, fermerëve të serrave, atyre që ndërtojnë ferma organike por edhe ndërtimit të tregjeve të reja bujqësore dhe të kafshëve të gjalla dhe deri tek përçimi i teknikave të reja të kultivimit përmes skemës kombëtare të trajnimit në bujqësi”. Sipas saj, fokus kryesor do të marrë mbështetja për blegtorinë si sektori prioritar i kësaj skeme. “Mbështesim ferma me jo më pak se 10 lopë të matrikulluara me deri 10 mijë lekë/krerë dhe jo më shumë se 500 mijë lekë për subjekt, si dhe fermat me jo më pak se 100 dele ose dhi me deri 1200 lekë për krerë, por jo më shumë se 360 mijë lekë për subjekt”, tha ministrja. Gjithashtu theksoi ajo, do të vijojmë mbështetjen për të tretin vit radhazi me skemën e naftës falas për fermerët. Krifca tha se, “rreth 1,4 miliard lekë do të përdoren për të lehtësuar fermerët nga kosto që i peshon më shumë në aktivitetin e tyre atë të karburantit”. Ministrja u shpreh se skema adreson mbështetje për perimet në serra, si motorin e eksporteve shqiptare. Ajo informoi se, “me një pagesë direkte prej deri 400 mijë lekë për ha, subvencionohen kultivuesit e perimeve, rrushit për tavolinë dhe luleshtrydhet në serra, duke lehtësuar kostot e inputeve bujqësore për këto aktivitete. Mbështetja me subvencione do të vijojë edhe për bletarinë si një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale”. “Mbështesim çdo zgjua me 1000 lekë për ferma me jo më pak se 50 zgjoje dhe deri në 150 mijë lekë për subjekt”, tha ministrja teksa shprehu vendosmëri për zhvillimin e një bujqësie jo vetëm më prodhuese, por edhe më të sigurtë e më organike. “Në këtë angazhim edhe këtë vit vazhdojmë të mbështesim fermat organike dhe ato që certifikohen me standardin Global GAP”, u shpreh Krifca. Ministrja tha se, “nuk mund të linim jashtë skemës sonë sektorin e peshkimit ku mbështetja e drejtëpërdrejtë parashikon blerjen e motorëve të rinj, dhe agregateve të tjera dhe riparimin e anijeve deri në 50% të vlerës së blerjes jo më shumë se 20 milion lekë për subjekt”. Për të dytin vit radhazi, qeveria adreson mbështetje financimi edhe për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore dhe të kafshëve të gjalla, me qëllim afrimin akoma më shumë të produktit me konsumatorin, dhe rritjen e peshës së fermerit në tregje. Ministrja deklaroi se, së bashku me Universitetin Bujqësor do të vazhdojmë edhe këtë vit përçimin e dijes tek fermeri në kuadër të skemave kombëtare të trajnimit në bujqësi me krijimin e fermave model në të gjithë Shqipërinë me praktikat më të mira bujqësore dhe blegtorale “Kemi marrë të gjithë masat që të gjithë specialistët të bujqësisë të jenë në terren që aplikimet e fermerëve për këtë vit të fillojnë sa më shpejt”, u shpreh Krifca. atsh
Skema Kombëtare 2023: 3,313 miliardë lekë për 9 masa
RELATED ARTICLES