Këshilli i Ministrave miratoi sot rritjen e nivelit të pagës minimale në 40 mijë lekë nga 34 mijë lekë që është aktualisht. Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se kjo pagë do t’i atribuohet si sektorit privat edhe sektorit publik. “Në mbledhjen e sotme u mor vendimi për përcaktimin e pagës minimale që në bazë të vendimit shkon nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë. Gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të pagave ku për 9-mujorin e vitit 2022 pagat mesatare për sektorin privat janë rritur me 12.3%. Rritja që u miratua sot në Këshillin e Ministrave prej 6 mijë lekësh bruto është në nivel 17.6% më e lartë se sa paga që aktualisht është në treg”, tha ajo. Ibrahimaj tha se rritja hyn në fuqi nga data 1 prill. “Në pagën që punonjësit do të marrin në muajin maj do të jetë e reflektuar kjo rritje”, shtoi ajo. Pyetjes nëse rritja e pagës minimale është një instrument elektoral, ministrja iu përgjigj se “kjo nuk është aspak një politikë e cila lidhet me zgjedhjet apo me politika elektorale, por është një politikë që shkon në mbështetje të gjithë punonjësve që janë pagamarës minimalë”. Ibrahimaj solli në vëmendje faktin se gjatë vitit të kaluar qeveria ka ndërhyrë dy herë në nivelin e pagës minimale. “Është politikë që ne e kemi përdorur që të mitigojmë efektet e krizës dhe të rritjes së inflacionit. Është një numër i konsiderueshëm punonjësish që janë pagamarrës minimalë dhe dua të nënvizoj se paga minimale në vend është paga më e ulët në rajon. Ne synojmë që në 3 vitet e ardhshme paga minimale të mos jetë më më e ulëta në rajon dhe Shqipëria të jetë një vend i cili të tërheqë punonjës në tregun e punës”, tha ajo. Ibrahimaj nënvizoi se arsyeja kryesore pse qeveria ka qenë e kujdesshme në rritjen e përshkallëzuar të pagës minimale, ka qenë pasi nuk do që t’i shtojë kosto shtesë biznesit. “Kjo është arsyeja pse në një pjesë të madhe të bizneseve me një numër të madh punonjësish, ne jemi duke subvencionuar koston shtesë së kontributeve të sigurimeve shoqërore”, tha ajo. Po ashtu, Ibrahimaj theksoi se “Shqipëria ka hyrë tashmë në procesin e integrimit europian, ku ekziston Karta Sociale Europiane e cila ka si nivel dhe si detyrim të pashkruar që niveli i këshillueshëm i pagës minimale në një vend duhet të jetë jo më i ulët se 60% e pagës mesatare”. Sipas Ibrahimaj, aktualisht me nivelin 34 mijë lekë Shqipëria ishte në nivel 55% dhe me pagën e re prej 40 mijë lekësh shkon në nivelin 67%. atsh
Paga minimale 40 mijë lekë të reja nga 1 prilli
RELATED ARTICLES