Parku Kombëtar i Butrintit, në një postim të tijin në rrjetet sociale, sjell një album fotografik dhe informacion mbi pagëzimoren e Butrintit, një nga monumentet kryesore, më e sofistikuara e këtij parku e një nga më të mëdhatë në të gjithë Mesdheun. Koha e ndërtimit të saj mendohet rreth viteve 550-570 pas Krishtit. Mozaiku është kompozuar shumë bukur. Dekori i dyshemesë përbëhet nga shtatë shirita që qarkojnë vaskën e pagëzimit të ndodhur në qendër, bashkë me të cilën bëhen tetë, numri i krishterë që nënkupton shpëtimin dhe përjetësinë. Dy nga shiritat përbëhen nga medaljone të thjeshtë të lidhur me njëri-tjetrin, të tjerët përmbajnë rondele me kafshë katërkëmbëshe, shumë zogj uji dhe peshq, gjithsej 69 e të gjitha simbole të lidhura me pagëzimin. Në kushte ideale, kompleksi i Baptisterit dhe mozaikët e tij do të duhej të ishin gjithnjë të ekspozuar. Ngritja dhe ulja sezonale e nivelit të ujit, në lagunën përreth, shkakton lagjen dhe tharjen e përsëritur të dyshemeve. Nëse mozaikët do të ishin vazhdimisht të ekspozuar ndaj ajrit, ky proces do të çonte në mënyrë të përsëritur në shkatërrimin e përhershëm dhe të pakthyeshëm të tyre. Kështu, për të siguruar ruajtjen afatgjatë të mozaikëve, dyshemetë e Baptisterit mbahen të mbuluara. Mozaikët zbulohen periodikisht, përgjithësisht çdo 5 vjet, për periudha të shkurtra, për t’u vizituar nga publiku dhe për konservim shkencor. Hapja bëhet me miratim të IKTK sepse procesi kryhet nën monitorimin e specialistëve të mozaikëve. atsh
Pagëzimorja e Butrintit, një nga më të mëdhatë në Mesdhe
RELATED ARTICLES