Pas suksesit, jehonës dhe energjisë së papërshkrueshme të edicionit të parë, Muza Competition rikthehet në sezonin e tij të dytë. Çdo i ri nga mosha 18-35 vjeç që është i apasionuar pas fashion-dizajnit dhe ka shpirt sipërmarrës, mund të aplikojë për të prezantuar koleksionin e tij modern me elementë të traditës në Muza. Muza Competition është një projekt i ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon me drejtuese Andriola Kambon, që përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit. Edicioni i dytë i Muza Competition do të ndahet në 3 faza. Gjatë fazës së parë do të pranohen të gjitha aplikimet që do të shqyrtohen nga një juri profesioniste. Vetëm një pjesë e tyre do të mund të kalojnë në fazën e dytë. Gjatë fazës së dytë, juria do të dëgjojë prezantimet nga çdo aplikant dhe do të bëjë një përzgjedhje ku vetëm 10 prej tyre do të kalojnë në fazën e fundit. Ky takim synon t’u ofrojë të rinjve mundësinë të takojnë personalitete që punojnë për një kohë të gjatë në këtë sektor dhe që mund të transmetojnë njohuritë e tyre në një mënyrë tjetër, duke forcuar njëkohësisht motivimin e të rinjve në sektorin e ekonomive kreative. Finalja e madhe do të mbledhë të gjitha trevat shqip-folëse në Tiranë në muajin qershor, ku 10 finalistët do të mund të shfaqin koleksionin e tyre në një spektakël madhështor i cili do të kurorëzojë dhe fituesin e madh. Çmimet: Çmimi i tretë: 5.000 Euro Çmimi i dytë: 10.000 Euro Çmimi i pare: 20.000 Euro atsh