Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se, qeveria miratoi vendime të rëndësishme për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në operacionin e NATO-s në Mesdhe dhe në Sinai të Egjiptit. Pas mbledhjes së qeverisë, Peleshi tha se, katër projektvendime të iniciuara nga Ministria e Mbrojtjes janë miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. “Dy prej tyre ishin miratimi për pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare. Projektvendimi i parë është për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura në operacionin e NATO-s në Mesdhe, ku ne do të marrim pjesë me një anije ushtarake dhe 21 vetë personel ushtarak nga Forcat Detare. Misioni i dytë është në kuadër të Forcave Shumëkombëshe të vëzhgimit në Sinai të Egjiptit. Bëhet fjalë për tre oficerë të Policisë Ushtarake që do të jenë pjesë e këtij misioni”, tha ai. Peleshi shtoi se, sot Shqipëria është aktive në shtatë misione ndërkombëtare kryesisht në NATO, por edhe të Kombeve të Bashkuara dhe BE-së. “Jemi nga vendet më aktive në operacione dhe misione ndërkombëtare, sepse duam jo vetëm të përfitojmë nga aleanca më e fuqishme politike dhe ushtarake në botë, NATO, por edhe të kontribuojmë”, tha ai. atsh