Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAStudentët marshojnë kundër zajednicës

Studentët marshojnë kundër zajednicës

“Bashkë kundër asociacionit”, “Studentët nuk e pranojnë zajednicën”, “Nuk falet toka që është ujitur me gjak”, kanë qenë disa nga mbishkrimet e pankartave të studentëve. Këta të fundit dhe numër i madh i qytetarëve kanë marshuar sot në sheshet e kryeqytetit për të kundërshtuar asociacionin e komunave me shumicë serbe. Marshi i tyre ka nisur nga Bibloteka Kombëtare në drejtim të Qeverisë së Kosovës, ku nga aty kanë thënë se zajednica nuk do të jetë asnjëherë vullnet i popullit. Anëtarja e Parlamentit Studentor, Albë Lala u shpreh se Kosova nuk duhet të lëshojë pe dhe të pranojë asociacionin e komunave me shumicë serbe. Lala: Ky asociacion avancon Serbinë në Kosovë “Jemi mbledhur këtu që njëzëri ta deklarojmë qëndrimin tonë të palëkundur karshi asociacionit të komunave me shumicë serbe që po tenton të instalohet brenda shtetit tonë. Ky asociacion një etnik është në kundërshtim me kushtetutën e Republikës sonë. Ky asociacion nuk avancon të drejtat e serbëve, po instrumentalizon ata dhe avancon Serbinë në Kosovë. Dhe si rrjedhojë e të cilës pashmangshëm krijohet destabilitet”, tha ajo. Ajo ka shtuar se Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë, e jo të ketë ndarje e as nënshtrim. Edhe Blerand Beka ka shprehur kundërshtinë e tij ndaj asociacionit, duke thënë se Kosova është shtet demokratik dhe si i tillë është vullneti i popullit që përcakton fatin e shtetit. Beka: Asociacioni nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë vullnet i popullit “Asociacioni nuk është dhe asnjëherë nuk do të jetë vullnet i popullit. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të thotë më shumë të drejta për komunitetin serb, por në realitet qëllim parësor ka të shtrojë më shumë ndikim të Serbisë mbi Kosovën. Sot po shoh shumë pankarta, po shoh disa shqetësime që qytetarët e Kosovës. E pash një pankartë se “çka për studentët e luginës?”. Po fiks çka për studentët e luginës që diplomat e tyre pas diplomimit në Republikën e Kosovës nuk mund të punësohen në shtetin ku ata jetojnë. Çka për studentët e luginës?”, u shpreh ai. Kryetari i shoqatës së heronjve dhe familjeve të dëshmorëve, Naim Zhitia ka kërkuar nga ndërkombëtarët që t’i bëhet presion Serbisë. Zhitia: Kurrsesi dhe për asnjë çmim nuk duhet të pranohet asociacioni njëetnik “Edhe shoqata jonë e kundërshton këtë padrejtësi që po tentohet t’i vihet vendit tonë. Prandaj, kurrsesi dhe për asnjë çmim nuk duhet të pranohet asociacioni njëetnik. Shoqata jonë kundërshton çfarëdo asociacioni njëetnik, synimi i Serbisë në fillim është që ta fitojë asociacionin e komunave me shumicë serbe për të arritur më lehtë tek ndarja e veriut të Kosovës. Serbia na ka borxh shumë duke dëbuar me gjenocid qindra e mijëra shqiptarë, duke masakruar gra, fëmijë e pleq”, ka theksuar ai. Hetem Ajeti nga Podujeva tha se serbët po tentojnë të formojnë shtet në vete në Mitrovicë. Ajeti: Një grusht serbë janë aty edhe ata po donë të bëjnë shtet “Po kërkojmë që në veri të Mitrovicës të jetë pa zajednicë. Një grusht serbë janë aty edhe ata po donë të bëjnë shtet. Atë nuk e pranojmë. Ne prapë do i kapim pushkët, qysh i kemi kapur. Po edhe do i kapim nëse na imponojmë, se nuk i pranojmë ato sene”, ka thënë ai për KosovaPress. Kësaj proteste i janë bashkuar edhe shumë qytetarë, ku Sami Demaku tha se duhet të dëgjohet vullneti i qytetarëve të cilët kundërshtojnë asociacion të komunave me shumicë serbe. Demaku: Serbisë edhe ma ja dhënë gjysmën e Kosovës nuk ngopet “Jemi dalë për të treguar se nëse është në pyetje vullneti i popullit dhe ka demokraci atëherë duhet të dëgjohet zëri i saj. Përndryshe nëse fatit ta imponojnë kjo nuk është demokratike, është një diktaturë dhe meqë Kosova ka vuajtur shumë Serbia gjithnjë trojet shqiptare i ka ç’ populluar edhe me ja dhënë gjysmën e Kosovës nuk ngopet”, tha ai. Fehmi Menxhiqi tha se përkrah Qeverinë e Kosovës në pozicionimin e saj kundër zajednicës. Menxhiqi: Ata janë duke jetuar më mirë se gjithkush këtu “Ne përkrahim qeverinë se po donë Serbia, Vuçiqi edhe Lajçaku me ju dhënë autonomi, e cila nuk ju takon. Ata janë duke jetuar më mirë se gjithkush këtu, edhe me ju dhënë autonomi ne nuk jemi të pajtimit. InshAllah nuk bëhet ajo”, përfundon ai. Së fundmi, kryeministri Albin Kurti ka prezantuar gjashtë kushtet e tij për pranimin e një marrëveshje të tillë. Sa i përket asociacionit, thuhet se duhet të jetë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments