Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEShqiptarët mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Shqiptarët mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Yuri Kim, vizitoi shtëpinë e familjes Zena në Merhoje, Belsh, ku dëgjoi prej njërit prej anëtarëve të saj, Mehmetit, se si babai, Dane dhe gjyshi, Maksut strehuan 30 infermierë dhe mjekë amerikanë në vitin 1943, kur avioni i tyre ra në Shqipërinë e kontrolluar nga nazistët. Ambasadorja Kim shprehu mirënjohjen për popullin shqiptar, teksa kujtoi se besa dhe fjala e dhënë janë dy cilësi që i shquajnë shqiptarët. Kim risolli në vëmendje edhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të strehuar shtetasit afganë që u larguan nga vendi i tyre për të shpëtuar nga talibanët. “Kur një shqiptar apo shqiptare të jep fjalën, mund të mbështetesh tek ajo fjalë pa asnjë dyshim. “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Sipas kodeve të vjetra të nderit të shqiptarëve (“Besa”), shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut nën çatinë e tij apo të saj. Bota e di mirë se si shqiptarët u kanë dhënë strehim të përkohshëm mijëra afganëve që vrapuan të shpëtojnë nga talibanët”, u shpreh Kim në një postim në rrjetet sociale. Në fakt, theksoi ajo, “Shqipëria ishte vendi i parë që doli vullnetar për ndihmë. Gjithnjë e më shumë njerëz po mësojnë se si shqiptarët e zakonshëm i mbrojtën hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke u bërë i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore sesa në fillim (dhjetëfish!)”. “Por unë dua që më shumë njerëz, amerikanë në veçanti, të dëgjojnë se si disa banorë të një fshati shqiptar ndihmuan 30 infermiere dhe mjekë amerikanë në vitin 1943 kur avioni i tyre ra në Shqipërinë e kontrolluar nga nazistët. Ç’episod dramatik! Pavarësisht rrezikut për jetët e tyre, fshatarë të Belshit, zona ku avioni u rrëzua, i fshehën amerikanët, duke i çuar nga shtëpia në shtëpi, në mënyrë që ata të mund të arratiseshin. Ishte një nder të vizitoja shtëpinë e familjes Zena dje në Merhoje, Belsh dhe të dëgjoja prej Mehmetit se si babai, Dane dhe gjyshi, Maksut i strehuan amerikanët për një muaj. Madje, familja e tyre theri një viç për të ushqyer mysafirët. Falë njerëzve si familja Zena, amerikanët mundën të dilnin të gjallë. Zoti e bekoftë popullin shqiptar për kodin e nderit dhe mikpritjes! Ne ju jemi mirënjohës përgjithmonë”, u shpreh ambasadorja e SHBA, Yuri Kim. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments