Qeveria vendosi sot krijimin e shoqërisë aksionare me kapital shtetëror për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike. Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e shoqërisë aksionare, me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike të shtetasve shqiptarë dhe/ose shtetasve të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të cilëve u njihet kjo e drejtë në përputhje me kërkesat e legjislacionit përkatës në fuqi. Emri i shoqërisë aksionare përcaktohet në aktin e themelimit dhe statutin e saj. Shoqëria aksionare, themelohet, organizohet dhe funksionon, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë aksionare të jetë 20 000 000 (njëzet milionë) lekë. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë aksionare, është Ministria e Brendshme. Shoqëria aksionare ofron kundrejt pagesës shërbimin e prodhimit dhe shpërndarjes së: letërnjoftimit elektronik dhe pasaportës biometrike; dokumentit biometrik (leje qëndrimi për të huajt për çdo motiv me përjashtim të lejes provizore dhe humanitare); letërnjoftimit elektronik për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese; dokumentit të udhëtimit për personat që kanë përfituar statusin e refugjatit dhe mbrojtje plotësuese; çdo dokumenti tjetër biometrik që lëshon Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj. Shoqëria aksionare mund të ofrojë shërbime të tjera shtesë për subjekte publike dhe private, në përputhje me qëllimin e krijimit, fushën e veprimtarisë dhe statutin e saj. Tarifat e shërbimeve përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Shoqëria aksionare financohet nga të ardhurat e veta nga ofrimi i shërbimeve dhe burime të tjera të ligjshme. Të ardhurat e shoqërisë aksionare përdoren për ushtrimin e veprimtarisë së saj. Ministri i Brendshëm, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për: themelimin dhe miratimin e statutit të shoqërisë aksionare; regjistrimin e shoqërisë aksionare në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë aksionare mjediset e punës, të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë. Ministria e Brendshme i kalon pa pagesë shoqërisë aksionare, çdo të drejtë ose titull të marrë në dorëzim nga koncesionari, sipas përcaktimeve të kontratës së koncesionit “Për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike”, datë 21 korrik 2008, e ndryshuar, ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe grupimit të Sagem Securite e Fondit Shqiptaro – Amerikan të Ndërmarrjeve, ratifikuar me ligjin nr.9972, datë 27.8.2008, përfshirë të gjitha pasuritë e krijuara apo të ndërtuara apo të zhvilluara posaçërisht ose të përdorura nga koncesionari dhe/ose punonjësit e tij dhe që i përkasin koncesionarit gjatë periudhës së koncesionit dhe për qëllimin e zbatimit të koncesionit, përfshirë sistemet software dhe hardware dhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 20 000 000 (njëzet milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. atsh
Krijohet shoqëria shtetërore për shpërndarjen e dokumenteve biometrike
RELATED ARTICLES