Kompozitori i mirënjohur Aleksandër Peçi do të shfaqë së shpejti, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, premierën e koncertit për piano dhe orkestër n5 GEA 2551. Vepra e cila do të luhet në premierë botërore më 1 mars në Tiranë mori vlerësimin e pianistit francez me reputacion ndërkombëtar, Pascal Gallet i cili do të jetë pjesë e premierës. “Jam jashtëzakonisht i nderuar të jap premierë në Tiranë koncertin nr.5 të Aleksandër Peçit. Kjo punë është e jashtëzakonshme, jashtëzakonisht kërkuese”, shkruan artisti. “Në dy lëvizje të gjata, Peçi përdor të gjithë gamën e pianos duke shtuar homazhe të ndryshme për Bach dhe Mozart të zmadhuara nga sigla e tij. Unë përjetoj një dimension intensiv krijues ndërsa luaj këtë koncert. Kadenca është e pasur në mënyrë të pallogaritshme”, shkruan Gallet. Sipas tij, ndërsa ka luajtur vepra si simfonia Turangalila e Messiaen-it, koncerti i Gao Ping-ut apo edhe koncerti i Jolivet-it për piano dhe orkestër, koncerti i Peçit është në vazhdën e veprave të përmendura më lart dhe tani është një vepër kryesore e repertorit të pianos. Peçi me këtë kompozim, udhëton në kohë, disa shekuj, në të ardhmen tonë, duke eksploruar muzikën dhe vetveten. Koha e parë, e koncertit ka një formë me tetë variacione e një intermexo. Koha e dytë është një rondo me dy episode, kadencë e finale. Koha e dytë, sipas kompozitorit, është një apoteozë gëzimi e feste, me një energji brilante. Që në masën e parë, të kohës së parë, publiku do të dëgjojë një instrument pak të njohur, të quajtur theremin, i cili punon me valë elektromanjetike dhe që do të luhet nga Pascal Gallet, ndërsa në piano do të luajë Laura Llozi. Drejtor artistik i koncertit do të jetë Arben Skënderi ndërsa Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, do të dirigjohet nga Harlen Nikolli. atsh