Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAKurti i gatshëm për takim me Vuçiç

Kurti i gatshëm për takim me Vuçiç

Para tre muajsh ishte takimi i tyre i fundit. Pranimi në parim i planit të Bashkimit Evropian për dialogun, pritet t’i ulë sërish përballë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Përveç diskutimit për kornizën e propozimit të BE-së për dialogun, aty pritet të flitet edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mirëpo, ndërmjetësuesit e dialogut ende nuk iu kanë dorëzuar palëve ftesat zyrtare për takim. Në Qeverinë e Kosovës thonë se Kurti është i gatshëm për takim, andaj edhe janë në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian për caktimin e takimit të radhës. Këta të fundit konfirmojnë për KosovaPress përgatitjet për takimin Kurti-Vuçiq, derisa theksojnë se kanë marrë parasysh edhe gjashtë kushtet e kryeministrit Albin Kurti për Asociacionin, por pa treguar nëse kanë vërejtje për ndonjërin prej tyre, ani pse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ditë më parë tha se Brukseli ka vërejtje në dy prej tyre. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Bashkimin Evropian për caktimin e takimit të radhës. Gatishmërinë për të e kemi shprehur edhe publikisht. Do t’ju mbajmë të informuar me kohë”, deklaron zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për KosovaPress. Ndërkaq, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për KosovaPress se ata janë të gatshëm të ndërmjetësojnë për diskutimet mbi Asociacionin në takimet e ardhshme të dialogut. Sipas tij, forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit si dhe çdo propozim që mund të kenë të dy palët, është në kuadër të dialogut. “Kemi marrë parasysh komentet e kryeministrit Kurti në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt. Forumi për të diskutuar krijimin e Asociacionit, si dhe çdo propozim që mund të kenë të dy palët, është në kuadër të dialogut. BE-ja është e gatshme të ndërmjetësojë diskutimet mbi Asociacionin në takimet e ardhshme të dialogut, thekson ai. Në anën tjetër, profesori i shkencave politike, Dorajet Imeri thotë për KosovaPress se takimi Kurti-Vuçiq do të ndodh shumë shpejtë, madje pret edhe lëvizje konkrete në bazë të propozimit të BE-së. Imeri: Deri më tani negociatat janë karakterizuar me paparashikueshmëri “Afatizimi i marsit është diçka pozitive, pasi këto negociata janë karakterizuar me paparashikueshmëri se kur do të ndodhin, çfarë etapa do të kërkohet ose sa kohë që do të mbyllet si çështje. Prandaj, pozitivja e parë që konsideroj unë se kemi një limit kohor se kur do t’i kryejmë obligimet tona. Ndryshe, marsi është optimal për të pasur takime, duke i njohur palët mundësia për të pasur gjëra të paparashikueshme është e madhe, por unë kam një bindje se faktorët ndërkombëtarë meqenëse, po ka intensivisht diskutime, i kanë marrë të gjitha masat për të mbyllur këtë shqetësim”, thotë ai. Në fillim të kësaj jave, kryeministri Kurti, pas takimit me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e pranoi zyratarisht propozimin e BE-së për dialogun. Ai këtë e ka konsideruar si bazë të mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut në Bruksel. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments