Në tregun e brendshëm valutor vijojnë të mbizotërojnë presionet mbiçmuese mbi monedhën vendase, ndërsa kushtet e tregtimit mbeten brenda parametrave normalë. Në muajt tetor dhe nëntor, kursi lek/euro qëndroi pranë nivelit mesatar të tremujorit të tretë të vitit, prej 117.1 lekë/euro. Kursi lek/euro zbriti në 114.9 lekë/euro në muajin dhjetor, me një mbiçmim vjetor të lekut prej 4.9%. Në tri javët e para të muajit janar, euroja është kuotuar me mesatarisht 116.4 lekë/euro, duke regjistruar një prapësim të pjesshëm të mbiçmimit të lekut gjatë muajit dhjetor, por duke mbetur nën nivelet e regjistruara përpara këtij muaji. Tregu valutor është karakterizuar nga presione mbiçmuese të lekut kundrejt euros gjatë këtij viti, të cilat janë intensifikuar prej muajit qershor. Këto presione duket se pasqyrojnë ecurinë pozitive të bilancit të pagesave të vendit gjatë vitit 2022, të diktuara nga sezoni i mirë turistik dhe nivelet e larta të investimeve të huaja direkte. Megjithatë, këto presione nuk janë shoqëruar me çrregullime në treg. Tregu valutor ka funksionuar i qetë dhe me kushte normale tregtimi. Si luhatshmëria e kursit euro/lek, ashtu edhe spread-i mes çmimit të kuotuar në shitje dhe atij në blerje, kanë qenë pranë vlerave normale të tyre. atsh