Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, përmes një programi të ri intershipi, me njohuri teorike e praktike, po mbështet aftësimin e të rinjve në agrobiznes, me synim integrimin e tyre në sipërmarrje të reja në bujqësi. Të rinj të sapodiplomuar, apo në vitin e fundit të studimeve dhe që duan të marrin një eksperiencë të vlefshme, në një kohë kur nevoja për aftësi inovatore e digjitale është vetëm në rritje dhe aplikimi i tyre nuk njeh kufij në të gjithë sektorët e ekonomisë, mund të aplikojnë të bëhen pjesë e projektit që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me FAO-n dhe UBT-në do të çelin nga data 15 shkurt deri në 1 mars të këtij viti. Në takimin e organizuar me këtë rast në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Programit FAO, pedagogë të UBT-së, studentë, sipërmarrës në sektorin e bujqësisë si dhe të ftuar të linjës, ministrja Frida Krifca, vuri në dukje potencialin e madh që ka bujqësia e agroindustria në ekonominë e vendit dhe angazhimin e forcës së punës në zonat më të thella të Shqipërisë. “Ne jemi me fat që kemi një fuqi punëtore të rëndësishme në këtë sektor edhe për shkak të strukturës së ekonomisë sonë. Por si politikëbërës kemi detyrën për të krijuar një situatë makroekonomike për zhvillim të qëndrueshëm të këtij sektori. Në këtë kuptim, zhvillimi i mëtejshëm i bujqësisë ka mjaft të rëndësishëm lidhjen e sektorit me të rinjtë dhe lidhjen e sektorit me dijen, inovacionin, digjitalizimin”, tha ministrja Krifca, teksa vuri në dukje se, “ata të rinj, të cilët janë shkolluar brenda apo jashtë vendit, që duan të shtyjnë përpara njohuritë e tyre në sektor nëpërmjet integrimit në tregun e punës, me njohuri më të plota në sipërmarrje, administrim bujqësor dhe digjitalizim në bujqësi, mund të bëhen pjesë e këtij programi”. Ministrja Krifca bëri të ditur se, sot janë orientuar shumë projekte që fuqizojnë të rinjtë në drejtim të sipërmarrjeve të reja në bujqësi dhe përdorimin e teknologjive të reja. Ajo solli në vëmendje se në muajin dhjetor, me CIHEAM Bari në një projekt të përbashkët ndërkufitar me Malin e Zi dhe Italinë, u hap një thirrje për të rinjtë shqiptarë për të marrë pjesë në programe internshipi mbi digjitalizimin e aktiviteteve bujqësore në kompani të ndryshme për një periudhë tremujore, ku në 2120 aplikime – 76 aplikime ishin nga Shqipëria dhe nga 20 kompanitë bujqësore ku do të kryheshin këto internshipe, 3 ishin shqiptare. “Me këtë synim e frymëzim, ne sot shpallim nismën tonë më të re – Programin për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse të të rinjve në agrobiznes”, tha ministrja Krifca, teksa informoi se, ky program vjen në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve te Bashkuara për Ushqim, posaçërisht nga drejtori i përgjithshëm i cili vizitoi Shqipërinë disa javë më parë, dhe Universitetin Bujqësor të Tiranës, vendosëm të ndërtojmë këtë nismë të përbashkët”. Rreth 25 të rinj do të përzgjidhen për të zhvilluar një program, i cili integron njohuritë teorike të sipërmarrjes dhe të digjitalizimit, me njohuri praktike në biznese të suksesshëm të përdorimit të administrimit te biznesit dhe digjitalizimit në sektorin e bujqësisë, blegtorisë, turizmit rural, grumbullimit, eksportit dhe përpunimit të produkteve me qëllim krijimin e mundësive të tyre për të hapur biznesin e tyre të lidhur me prodhimin, përpunimin, ushqimin apo mikpritjen në zonat rurale. Duke u ndalur tek risia e këtij programi, ministrja Krifca vuri në dukje se, “përtej pajisjes së të rinjve me një dëshmi trajnimi, ne duam që studentët e përzgjedhur të jenë dallëndyshet e para që do të dëshmojnë për lidhjen që duhet të ekzistojë midis auditorëve dhe praktikës, politikëbërjes dhe shembullit të suksesit, midis asaj që është sot universiteti dhe politikëbërja dhe asaj që duhet të jetë në të ardhmen”. Sipas saj, “ky program integron dy prej objektivave më të rëndësishme që ne i kemi vënë vetes: Së pari, integrimin e të rinjve në sektorin e bujqësisë, duke i pajisur ata me të gjithë mjetet teorike dhe praktike që të bëjnë sipërmarrjen e tyre të suksesshme. Së dyti, forcojmë komponentin digjital në bujqësi”. Ministrja tha se, nga data 15 shkurt deri në 1 mars thirrja do të jetë e hapur për të gjithë studentët, të cilët duhet të dërgojnë një letër interesi dhe një CV, ndërsa i inkurajoi të rinjtë të bëhen pjesë dhe të angazhohen në këtë program, duke i dhënë vetes një fuqi të re dhe një eksperiencë të rëndësishme për të çarë në rrugën profesionale.atsh