Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEARSIMPagesë transporti, për mësuesit që punojnë jashtë bashkisë

Pagesë transporti, për mësuesit që punojnë jashtë bashkisë

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi theksoi sot se, qeveria po ndërhyn në një vendim të Këshillit të Ministrave, me qëllim që të mundësojë pagesën e transportit për mësuesit që punojnë jashtë bashkisë ku jetojnë. Në një intervistë televizive, Kushi tha se, “aktualisht pagesë për transport marrin vetëm ata mësues, të cilët banojnë 5 deri në 50 km nga shkolla ku punojnë, por duhet të jetë brenda bashkisë”. “Po e zgjidhim sipas VKM. Një mësues paguhet nëse banon 5 deri në 50 km nga shkolla ku punon, por duhet të jetë brenda bashkisë. Nëse distanca është 50 km, por është nga një bashki tjetër, nuk i merr paratë. Po e korrigjojmë, jemi në pritje të mendimit nga ministritë e tjera. Po e heqim kriterin që duhet të punojë dhe jetojë brenda së njëjtës bashki. Do ta përfitojnë pagesën e transportit nëse distanca deri në 50 km edhe nëse nuk jetojnë në të njëjtën bashki ku punojnë. Shumë shpejt do futet në fuqi”, theksoi Kushi. Duke ndalur në kërkesat e pedagogëve për rritje page, Kushi tha se, “ne jemi duke i adresuar të gjitha kërkesat e pedagogëve, qoftë ata të protestave, por të të gjithë rektorëve dhe pedagogëve të tjerë. Ne i rritëm pagat me 15%. 7% nga shteti dhe 8% nga vetë universitetet. Mbështetja jonë do të vazhdojë. Të gjitha kërkesat që kanë, ne po i trajtojmë dhe javën e ardhshme kam një seancë dëgjimore në Komisionin e Edukimit për të adresuar këto probleme”. Lidhur me ngrohjen e shkollave, Kushi tha se, vetëm 28 shkolla janë që nuk kanë ngrohje dhe po bashkëpunohet me bashkitë për të gjetur zgjidhje. Sipas saj, deri më tani asnjë shkollë nuk është mbyllur për shkak të kushteve atmosferike. “Bashkitë po përpiqen që edhe aty ku ka mungesa t’i plotësojnë me pajisje ngrohëse, kaldajë kondicioner. Bashkitë merren në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në 28 shkolla në bashki të ndryshme të vendit nuk ka ngrohje, ka dhe shkolla ku kaldaja ka nevojë për riparime ose sistemi elektrik është i amortizuar dhe nuk e pranon që të përdoren shumë pajisje ngrohëse në të gjithë kohën. Këto kanë qenë ditë shumë të ftohta. Po punojmë në bazë të prioriteteve, aty ku nevojat janë më të mëdha, aty do ndërhyjmë më përpara. Ne bashkëpunojmë, ministria çdo vit ka buxhet për të financuar infrastrukturë shkollore”, nënvizoi Kushi. Sa i përket mësimit me turne, ministrja Kushi tha se, “92 shkolla e zhvillojnë mësimin me turne, mbi 60 në Durrës, sidomos ato që po rindërtohen nga tërmeti. Në Tiranë vitin e kaluar janë rindërtuar 12 shkolla të reja, me kapacitete më të larta”, tha ministrja. atsh

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments