Brenda muajit shkurt të këtij viti nis shërbimi risi i targave të personalizuara, kategoria me kompozim online dhe kundrejt tarifave speciale, ku do të mundësohen kombinime me 5 deri 7 karaktere, që do të përfshijnë minimumi 2 numra dhe hapësirat standarde, në formatet aktuale të targave të automjeteve, duke u konfirmuar së pari nga komisioni përkatës. Drejtori i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja bëri të ditur se, të ardhurat nga ky shërbim do të shkojnë për përballimin e atyre shërbimeve jetike për qytetarët apo subjektet që DPSHTRR prej vitesh ndihmon t’u ulen kostot dhe tarifat, për modernizimin e sistemeve dhe infrastrukturës së shërbimeve të transportit rrugor, për projektet edukuese mbi trafikun dhe sigurinë rrugore, për aktivitetet Retro dhe eventet ndërgjegjësuese, për nisma përgjegjësie sociale e solidariteti, për financimin e reformave sektoriale, për programet e investimeve publike nga Automotorizimi Shqiptar dhe rritjen e kapaciteteve të entit. Ndërkohë, sipas tij, një komision do të ndalojë fjalë apo kuptime të caktuara, nga pikëpamja etike, ndërsa kombinimet që do të konsiderohen të rralla, unike, me vlera interesi të gjerë do të ofrohen në ankandin periodik që DPSHTRR do të zhvillojë për targat edhe më speciale (kombinimet me 4 karaktere e poshtë dhe me vetëm numra apo gërma, fjalë/emra të plota, me prokate të veçanta do të jenë vetëm me ankand publik e transparent, për maksimizim vlere. Ky shërbim i ri shoqërohet me të drejtën e blerësit që ta mbartë këtë targë te një mjet tjetër, më të ri, kundrejt tarifës përkatëse të transferimit. ATSH