Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh sot se ulja e temperaturave ka nxjerrë në terren edhe specialistë të Ministrisë së Bujqësisë janë në ndihmë të fermerëve. Në një postim në rrjetet sociale, Krifca bëri të ditur se “me uljen e theksuar e të menjëhershme të temperaturave vihet në vështirësi puna për mbrojtjen dhe menaxhimin e fermave ndaj së bashku me ekipet tona të mbrojtjes së bimëve, ekstensionistët dhe veterinerët jemi në terren në ndihmë të fermerëve për të përballuar së bashku këto vështirësi”. Ajo shkruan se specialistët këshillojnë marrjen e masave. “Duhen kontrolluar dhe eliminuar në maksimum mundësitë e futjes së ajrit të ftohtë në serra. Duhen të kontrollohen plastmasët e brendshëm dhe tunelet në serra. Nëse nuk janë të vendosur plastmasët e brendshëm anësore dhe tunelet, është e domosdoshme të vendosen urgjentisht, mundësisht dy plastmasë me një distancë izotermike jo më të vogël se 20 cm njeri nga tjetri. Të shfrytëzohen të gjitha mundësitë alternative për ngrohjen me energji elektrike, gaz, etj. Për këto ditë të minimizohen ujitjet sepse rritja e lagështisë në tokë ul përqendrimin e kripërave në lëngun qelizor duke rritur rrezikun dëmtimin e bimëve nga temperaturat e ulta. Nëse ujitjet janë të domosdoshme, të bëhen me norma minimale uji dhe të shoqërohen me plehërime të lëngshme të lehta për t’u përvetësuar nga bimët, me përmbajtje të lartë fosfori e potasi, me qëllim që të rritet përqendrimi i lëngut qelizor.Nga kulturat drufrutore agrumet janë më të rrezikuara, limoni veçanërisht. Ndonëse ndërhyrjet direkte për t’i mbrojtur nga i ftohti janë të kufizuara, këshillohen si më poshtë: Vjelja e frutave të agrumeve aty ku ka ende prodhim, pasi dëmtohen nga ngrica, si dhe magazinimi i tyre. Në fushë të hapur mund të bëhet djegja e bykut, kashtës së lagur, bërsive të ullirit, etj., për të krijuar tym që frenon humbjen e nxehtësisë deri në 0.5 ᵒC në rastin më të mirë, por në prezencë të erës këto ndërhyrje nuk janë efektive. Kujdesi duhet të përqendrohet në periudhën pas ngricës”, shkruan ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca. Po ashtu, ministrja Krifca shton se “rregulli i përgjithshëm: Nuk ndërhyet menjëherë, por pritet të përfundojë rreziku dhe të duken qartë shenjat e dëmit të shkaktuar. Në varësi të shkallës së dëmtimit gjykohet për ndërhyrje. Në momentin kur fillojnë nekrozat ndërhyet për largimin e pjesëve të dëmtuara pjesë-pjesë.Në raste të dëmtimeve të rënda synohet të ruhet vegjetacioni sa më shumë të jetë e mundur për të mundësuar ripërtëritjen.Për të gjitha rastet trajtimi me preparate me bazë bakri apo fungicide për të siguruar mbrojtjen nga infeksione parazitare menjëherë pas ngricave është mjaft i rëndësishëm. Kujdes i shtuar duhet edhe për mbrojtjen e kafshëve për të siguruar një strehim me temperatura optimale. Rënia e temperaturave në vendstrehime bëhet shkak për shfaqjen e një serë sëmundjesh të sistemit të frymëmarrjes, por dhe në uljen e imunitetit të kafsheve ndaj sëmundjeve të tjera. Kujdes duhet treguar gjithashtu në mënyrën e ushqimit, ku duhet të rritet sasia e racionit dhe të jetë i pasur me karbohidrate dhe proteina. Gjithashtu, sipas ekspertëve, këshillohet që kafshëve t’u jepet ujë i vakët për të marrë sasinë e nevojshme të lëngjeve për të shmangur dehidratimin”. “Për këshilla dhe rekomandime specifike mund të kontaktoni me specialistët e bujqësisë në zonat tuaja pranë AREB-eve, QTTB-ve dhe Drejtorive Rajonale të AKVMB ose telefononi në numrin e gjelbër 08003366”, shkruan ministrja, Frida Krifca. ATSH