Numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri ka arritur në 1 504, sipas CNN. Mbi 912 persona kanë vdekur në Turqi si pasojë e tërmetit në rajonin kufitar turko-sirian, tha sot presidenti Recep Tayyip Erdogan duke e çuar numrin e përgjithshëm në të dy vendet në mbi 1 200. Lëkundjet e tërmetit me magnitudë 7,8 ballë Rihter goditën Turqinë Juglindore dhe Sirinë Verilindore sot në mëngjes. Raportet vijnë ende për viktima nga zonat e kontrolluara nga qeveria dhe rebelët në Siri. Shumë vende kanë ofruar ndihmë ndërsa numri i të vdekurve rritet dhe shkalla e dëmit po bëhet më e qartë. ”Mëngjesin e sotëm na ka tronditur katastrofa më e madhe që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan. Institucionet shtetërore me të gjitha shërbimet janë mobilizuar në rajonin e prekur nga tërmeti. Nga tërmeti kanë humbur jetën 912 persona ndërsa 5 385 janë plagosur”, deklaroi ai. ”Deri më tani nga rrënojat janë shpëtuar 2 470 persona, ndërsa numri i ndërtesave të rrënuara ka shkuar në 2 818. NATO, BE dhe 45 vende kanë ofruar ndihmë për Turqinë”, theksoi ai. ATSH