Në platformën e-Albania janë shënuar dyfishim aplikimesh për dokumentacione të ndryshme gjatë vitit 2022. Sipas të dhënave nga e-Albania, kanë qenë 8.7 milionë aplikime dhe dokumente të gjeneruara përmes e-Albania gjatë vitit 2022. Kundrejt 4 milionë aplikimeve që u regjistruan në vitin 2021. Lehtësitë në marrjen e shërbimeve përmes e-Albanias do të thotë më shumë qytetarë dhe biznese të shërbyer dhe më shumë para dhe kohë të kursyera. E-Albania është pasuri kombëtare. Portali unik qeveritar shumëfunksional “e-Albania.al” administrohet dhe zhvillohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shërben si një portë nëpërmjet së cilës çdo person i interesuar mund të marrë nëpërmjet internetit, shërbime elektronike të ofruara nga institucionet publike në Shqipëri. Portali qeveritar “e-Albania” është i lidhur me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit, e cila është arkitektura bazë mbi të cilën mundësohet ndërveprimi me sistemet elektronike të institucioneve publike. Platforma “e-Albania” ofron 1225 shërbime elektronike për qytetarët shqiptarë. ATSH