Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi bizneset që të jenë të kujdesshëm gjatë deklarimit të faturave të shitjeve, gjatë procesit të deklarimit të librave, në mënyrë që të shmangen penalitetet. Në njoftimin zyrtar DPT thekson se, “duke marrë shkas nga disa raste të vërejtura nga Administrata Tatimore, për diferenca midis Librit të Shitjes deklaruar në sistemin e-filing dhe faturave të regjistruara në sistemin e Fiskalizimit, Administrata Tatimore i sjell në vëmendje tatimpaguesve të jenë të kujdesshëm në procesin e deklarimit të Librave duke përfshirë të gjitha Faturat e Shitjeve”. Sipas tatimeve, mosdeklarimi i saktë do të sjellë penalitete të mundshme nga Administrata Tatimore. Nëpërmjet këtij njoftimi Administrata Tatimore i rikujton tatimpaguesve të kenë shumë kujdes në deklarimet mujore për të shmangur penalitetet. atsh