Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përmes Skemës Kombëtare mbështet me subvencion fermerët për rritjen e prodhimit bujqësor dhe blegtoral vendas dhe shtimin e vendeve të reja të punës në sektorin rural. AZHBR bëri të ditur se gjatë vitit 2022 ka mbështetur me një fond prej 1.52 miliardë lekësh, 6 211 blegtorë me një numër prej 973 mijë krerësh (të imta dhe gjedhë). Ndërkohë, përmes programit IPARD II, janë mbështetur me financim deri në 50% të vlerës së investimit për standardizimin e stallave apo fabrikave të përpunimit të qumështit 40 ferma blegtorale në implementimin e teknologjive të avancuara. AZHBR solli shembullin e një fermeri në Tropojë. Ferma e familjes Gjoni, falë mbështetjes financiare të AZHBR ka bërë një transformim rrënjësor në zgjerimin e një pike modeste blegtorale, në një sipërmarrje që rritet vit pas viti në numër krerësh. Kjo fermë blegtorale është financuar me një shumë prej 11.7 milionë lekë dhe ka shtuar në 45 numrin e lopëve bashkë me 25 viça, ndërsa ka pasur fillimisht 10 lopë. Emanuela Gjondrekaj është e punësuar prej 11 vitesh në fermën blegtorale të Marjanës në Konaj të Vaut të Dejës. Ferma është një prej investimeve të reja me standarde evropiane në teknologji inovative për sistemin e mjeljes, për informacion në mirëqenien e kafshëve në kohë reale, që është mbështetur nga AZHBR. Investimi në teknologji ka përmirësuar ndjeshëm procesin e mjeljes së qumështit, më shpejt, me cilësi e siguri ushqimore siç i nevojitet përpunuesit dhe tregut. Kjo fermë përmes programit IPARD është financuar me grant 50% për vlerën e investimit në sistemin e mjeljes automatike dhe ndërtimin e 2 tankerave ftohës me kapacitet 800 litra dhe 500 litra. atsh