Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBimët mjekësore, burim të ardhurash dhe punësimi

Bimët mjekësore, burim të ardhurash dhe punësimi

Bimët aromatike medicinale në Shqipëri, përbëjnë një ndër fokuset kryesore të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke synuar forcimin e mëtejshëm të këtij sektori. Krahas mbështetjes së drejtpërdrejtë që adreson MBZHR përmes Skëmës Kombëtare dhe Programit IPARD, në bashkëpunim me donatorët po ndërmerren edhe nisma të tjera mbështetëse për këtë sektor që bart potenciale të larta ekonomike dhe punësimi. Në programin me donatorët, kryesore në këtë drejtim është organizimi i një sërë trajnimesh në mbështetje të rritjes së cilësisë, me vëmendje të veçantë tek shmangia e materialeve dhe lëndëve toksike (PA/TA) si dhe arritja e mbledhjes së qëndrueshme, me qëllim ruajtjen e biodiversitetit. Trajnimet e zhvilluara në Dibër kanë përfshirë 505 kultivues të BAM, duke i dhënë prioritet pjesëmarrjes së të kthyerve nga emigrimi, të rinjve dhe grave. Gjithashtu, trajnime të tjera në Shkodër kanë përfshirë edhe eksportues e përfaqësues të institucioneve shtetërore, të cilat ndikojnë në zinxhirin të prodhimit si Qendra e Transferimit te Teknologjive Bujqësore (QTTB) në Shkodër dhe Agjencia Rajonale e Ekstensionit Bujqësor (AREB). Zonat rurale të vendit konsiderohen me potenciale të larta të bimëve mjekësore dhe angazhimi i grave në këtë sektor është një faktor i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë. Shqipëria ka një traditë të hershme në prodhimin dhe eksportin e bimëve mjekësore dhe aromatike. Më shumë se 95% e totalit të bimëve të mbledhura, eksportohen. Ndërkohë 3/4 e sherebelës së importuar nga SHBA është me origjinë nga Shqipëria. Bimët mjekësore dhe aromatike (BMA-të) janë një sektor tradicionalisht i orientuar nga eksporti, me tregje të zhvilluara dhe potencial të mirë për rritje. Shqipëria bën pjesë në grupin e 25 eksportuesve kryesorë të BMA-ve në botë. Eksporti i BMA-ve arrin gati 20% të totalit të eksporteve bujqësore të Shqipërisë. Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherebela, rigoni, trumza, livando, etj. Është regjistruar një fluks i vogël, por në rritje i eksportit të vajrave esenciale, si edhe një rritje e kapacitetit përpunues në vend. Baza e prodhimit përbëhet kryesisht nga BMA-të e egra që gjenden në të gjithë vendin. Biodiversiteti i pasur në Shqipëri përfaqëson një potencial të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit të BMA-ve. Më shumë se, 400 specie janë identifikuar si BMA të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen. BMA-të janë një sektor i rëndësishëm i ekonomisë rurale. Sondazhet tregojnë se, në disa zona rurale pothuajse të gjitha familjet marrin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre nga grumbullimi i BMA-ve. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments