Galeria e Artit Tiranë (GAT) çeli thirrjen për aplikime pjesëmarrjeje në Festivalin Ndërkombëtar të Artit të Grave “Frida”, i cili do të mbahet në GAT nga 25 tetori deri në 25 nëntor 2023. Kjo thirrje u drejtohet vetëm artisteve gra të cilat ftohen të regjistrohen duke paraqitur dhe punët e tyre në letër. Sipas njoftimit të GAT, në rrjetet sociale, do të pranohen vetëm krijime origjinale,të punuara me dorë dhe që duhet të jenë krijuar dy vitet e fundit. Çdo artiste do të mund të paraqesë vetëm 1 vepër të dimensioneve 50X70 cm ose 20X28 cm. Ky festival ndërkombëtar është frymëzuar nga figura e piktores me famë botërore Frida Kahlo, një ikonë e gruas së fortë dhe rebele. Ky festival do të jetë një mundësi për t’u kthyer në një pikë takimi mes artisteve nga vende të ndryshme të botës si dhe një rrugë e shkëmbimit e ndarjes së ideve, apo dhe e promovimit të artit të tyre. “Frida” vjen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë Tiranë. ATSH