Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi zhvilloi një tjetër takim gjatë vizitës zyrtare në SHBA, ku ka diskutuar sigurinë kibernetike. “Sfidat e sigurisë kibernetike dhe objektivat e përbashkëta në këtë hapësirë i diskutuam gjatë takimit me Komandantin e USCYBERCOM, Gjeneral Paul M. Nakasone dhe Zv. Komandantin Gjeneral Lt. Timothy Haugh”, informoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale. “Mbështetje nga SHBA, për forcimin dhe përmirësimin e aftësive kibernetike të Shqipërisë”, u shpreh ministri i Mbrojtjes. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ndodhet në një vizitë zyrtare në SHBA ku ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë dhe kongresmenë amerikanë. Më herët, ministri i Mbrojtjes Peleshi u prit në Pentagon nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III. Një ditë më parë, Peleshi zhvilloi një takim me kongresmenin Matt Gaetz, anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura dhe Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve ku konfirmuan bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Shqipërisë dhe aleatit strategjik SHBA. ATSH