Djathi Mishavina i Bjeshkëve të Kelmendit, Malësi e Madhe, Mjalti i Bedunicës, Përmet, Djathi i Ziem i Veleçikut, Malësi e Madhe dhe Djathi i Dhisë nga Bjeshkët e Rrunjës, Dibër, janë produktet e para që certifikohen për treguesit gjeografikë, emërtimin e origjinës dhe specialitetin tradicional të garantuar. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u shpreh optimiste dhe krenare për këtë arritje ekselente të prodhueseve të bujqësisë. “Krenarë për prodhuesit tanë ekselentë që ruajnë traditën dhe të gjithë punën e bërë në bashkëpunim me prodhuesit, pushtetin lokal, shoqatat dhe ekspertë të ushqimit, për bashkëpunimin në ngritjen e strukturës për identifikimin, regjistrimin, mbrojtjen e origjinës përmes certifikimit”, tha Krifca. Djathi “Mishavina e Bjeshkëve të Kelmendit”, Vermosh, Kelmend (EOM) Djathi Mishavinë, është përdorur me këtë emër për më shumë se 100 vjet, por mendohet që ka një histori edhe më të hershme. Është një produkt që përdoret për të respektuar mikun dhe për t’u ndjerë krenarë, i lidhur me traditën blegtorale të zonës dhe pozitën gjeografike, me temperatura të përshtatshme për ruajtje. Kullotat e Kelmendit janë të tipit alpin e subalpine me lartësi 1500 – 2400 m, mbi nivelin e detit, me specie kryesore gramore. Djathi Mishavinë, prodhohet me qumësht të pavluar (të papasterizuar), nga bagëtitë (lopë dhe dele), që kullosin gjatë verës në kullota alpine. Karakteristikat specifike të djathit , janë struktura, copëzat e imta, aroma karakteristike, shija delikate, si dhe niveli i lartë i tretshmërisë. Mjalti i Bedunicës, Përmet (STG) Eshtë lulja e Bedunicës, aq e rrallë, që ndodhet me shumicë në zonën e Frashërit dhe parkut kombëtar të Bredhit të Hotovës, ajo që e bën këtë mjaltë kaq të vecantë me aromën, shijen dhe vecoritë e tij të rralla. Lulja e Bedunicës, është e vetmja lule (në periudhën gusht dhe shtator), që rritet në malin e Teprit, Gostivisht, Përmet në rreth 1500m mbi nivelin e detit. Shumë pak familje në zonën e Frashërit, dhe fshatit Gostinisht në Parkun Kombëtar të Hotovës prodhojnë këtë mjaltë, pasi shumica e luleve të Bedunicës gjenden në zona malore që janë të vështira për t’u arritur. Bletët jetojnë në një zonë me bimësi krejtësisht të egër, dhe larg pemëve frutore, larg fshatit. SHBB “Mjalti i Bedunicës, Gostivisht”, aktualisht me 7 anëtarë, prodhon këtë lloj mjalti. Në këtë rajon, kosheret e bletëve vendosen pranë shkurreve dhe luleve të bedunicës për të lehtësuar vjeljen. Bletët e mbledhin nektarin në një zonë të egër, larg pemëve frutore të kultivuara, larg zonave të banuara. Bletët mbahen në koshere konvencionale prej druri drejtkëndëshe. Mjalti mblidhet me dorë gjatë tetorit dhe nxirret duke përdorur një centrifugë manuale. Tymosja e koshereve bëhet duke prodhuar tymin nga materiale bimore me strukturë celuloze, në mënyrë që mos ti kalojnë mjaltit aroma të pakëndëshme. Mjalti ka ngjyrë të verdhë në të gjelbërt, me një aromë të fortë dhe konsistencë të trashë që lidhet me përqindjen e ulët të lagështisë, rreth 16%. Djathi i ziem, Hot, Malësi e Madhe (STG) « Djathi i ziem » është një traditë e vjetër e Shqipërisë së Veriut, dhe që vazhdon të prodhohet edhe sot në sasi të kufizuar. Sot, ky gatim unik i veriut të Shqipërisë është ndër specialitetet kryesore të restoranteve me gatime tradicionale shqiptare. Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) “Djathi I Ziem Veleçik” , aktualisht me 10 anëtarë, vazhdon të prodhojë këtë specialitet duke respektuar mënyrën tradicionale të përgatitjes së tij. Termi “i Ziem” është i lidhur me karakterin specific të përgatitjes së tij, një një gatim i veçantë që është trashëguar gojarisht brez pas brezi. Prodhohet nga qumështi i lopës i grumbulluar në zonën përreth Malësisë së Madhe: Kastrat, Shkrel dhe Kelmendi i Poshtëm. Çdo fazë e procesit të prodhimit respekton mënyrën tradicionale të prodhimit, pavarësisht modernizimit të pajisjeve. Në llojin e tij më tradicional, produkti duhet të jetë marrë nga qumësht lope i sapomjelë, që vjen i papërpunuar në punishte. Karakteristikat specifike të djathit janë struktura e tij e butë dhe elastike, si edhe shija delikate e pak e athët. Kjo recetë ka qenë rezervuar për mysafirë specialë dhe vetëm gratë e shtëpisë dinin ta përgatisnin dhe e trashëguan tek më të rejat. Anëtarët e grupit të prodhuesve dhe banorë të tjerë të zonës, dëshmojnë se në familjet e tyre djathi i ziem është përgatitur për më shumë se një shekull dhe gatuhej vetëm kur në shtëpi vinin mysafirë të rëndësishëm. Është një gatim mjaft kalorik, i përshtatshëm për zonat e ftohta karakteristikë e veriut të Shqipërisë, me temperatura relativisht të ulta. Mënyra e prodhimit dhe përgatitjes ndryshon nga të gjithë djathërat e tjerë të freskët. Produkti ndryshon nga djathërat e tjerë nga struktura e tij elastike dhe shija pak e athët. Ai nuk shërbehet i freskët, por i gatuar. Serviret i ngrohtë, pa lejuar që të ngrijë. Djathi i dhisë, bjeshkët e Rrunjës, Dibër (STG) Djathi i dhisë bjeshkët e Rrunjës, prodhohet nga SHBB «Dhija autoktone e Bulacit », në Muhur Dibër, e përbërë nga 7 anëtarë. Ai prodhohet nga qumështi i freskët i dhive të Bulacit, të grumbulluar nga barinjtë që i mbajnë dhitë në bjeshkët e Runjës, gjë që i jep një aromë të veçantë të qumështit të bjeshkëve, si rezultat i sistemit kullosor dushk, shkozë, kullotat alpine dhe mënyrës tradicionale të përpunimit. Historia e prodhimit të djathit fillon 60-70 vjet më parë nga gjyshja e familjes Voka, që e grumbullonte dhe përpunonte qumështin direkt në bjeshkët e Runjës. Prodhimi i djathit fillon nga muaji maj deri në mes të tetorit duke përpunuar qumështin e grumbulluar (dallohet për rrezen e lartë rreth 15 kg/kv). Djathi ka ngjyrë të bardhë, të njëtrajtshme dhe aromën e këndshme karakteristike të qumështit të dhisë nga bjeshkët. Emri “Djathi i dhisë, bjeshkët e Runjës”, i rezervohet djathit që prodhohet eskluzivisht nga qumështi i dhisë së Bulacit, që bën pjesë në racat autoktone, regjistruar në Katalogun e Burimeve Gjenetike Shtazore të Fermës në Shqipëri, të vitit 2008. Ekotipet vendase të dhisë janë krijuar ndër shekuj falë pasionit e punës së blegtorëve. Njihet, që në periudhën e Skënderbeut ka pasur rreth 3 000 krerë dhi, që janë trashëguar përmes përzgjedhjes së vazhdueshme të gjeneratave dhe sot kemi ekotipe vendase që përbëjnë një pasuri të shkëlqyer gjenetike – tradicionale. Zona njihet për traditën qindravjeçare të mbajtjes së dhive në këtë territor (bjeshkët e Runjës 400 – 1 700 m lartësi), si dhe në shfrytëzimin e sistemit kullosor dushk, shkozë, kullotat alpine. Të gjitha fermat e përfshira në këtë territor kanë të përbashkët pikërisht shfrytëzimin e këtij sistemit kullosor. Dhitë i rezistojnë temperaturave të ulëta të zonës dhe dalin të kullosin edhe kur është shumë ftohtë. ATSH