Bordi i Transparencës për Karburantet informoi sot se, çmimi i naftës do të rritet sot me 2 lekë, pas rritjes së çmimeve në bursën Platts Mediteran. “Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 210 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 198 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 192 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litër me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet”, theksoi Bordi. Sipas Bordit, çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 116 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga bordi do të hynë në fuqi në datë 25 janar, ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. ATSH