Teknologjia dhe digjitalizimi mundëson që shumë procese dhe shërbime të kryhen në mënyrë të automatizuar, por nga ana tjetër, ky digjitalizim shton rrezikun për keqpërdorimin e të dhënave personale, nëse nuk përmbushen detyrimet e përcaktuara ligjore për parandalimin e pasojave. Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në bashkëpunim me Qendën Shqiptare për Zhvillim të Qëndrueshëm, me mbështetjen e Ambasadës Zvicerane në Tiranë, organizuan tryezën e rrumbullakët me tematikë “Epoka digjitale dhe mbrojtja e të dhënave personale brenda sektorit bankar”. Në këtë takim, në kuadër edhe të aktiviteteve të Javës së Mbrojtjes së të Dhënave, të pranishëm ishin ambasadorja e Zvicrës, Ruth Huber, si dhe përfaqësues nga Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë dhe Shoqata Shqiptare e Bankave. Në përshëndetjen e tij, Komisioneri Besnik Dervishi theksoi se, në epokën digjitale, monedha e shkëmbimit janë të dhënat personale, çka nga ana tjetër janë dhe një ndër pasuritë më të çmuara të njeriut. “Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi në trekëndëshin qytetar-autoritet mbikëqyrës-kontrollues, nënkupton balancë për respektimin e kësaj të drejte në një ekonomi të zhvilluar. Përputhshmëria me këto standarde bashkëkohore kërkon investime afatgjata: në drejtim të burimeve njerëzore; masave tekniko-organizative dhe mekanizmave vetërregullues, me qëllim garantimin e sigurisë së të dhënave”, tha Dervishi. Kryediplomatja zvicerane, Huber vlerësoi në përshëndetjen e saj se, “mbi gjithçka, duhet ta trajtojmë mbrojtjen e të dhënave si një çështje të legjislacionit, politikave, rregulloreve dhe kapaciteteve”. Ajo theksoi rëndësinë e investimit në ndërgjegjësimin dhe sjelljen e përgjegjshme të qytetarëve. ATSH
Mbrojtja e të dhënave personale në sektorin bankar
RELATED ARTICLES