124 vjet më parë mblidhej Lidhja Shqiptare e Pejës (1899-1900). Lidhja Shqiptare e Pejës ishte një organizatë politike-ushtarake mbarëshqiptare, që ndoqi rrugën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe luftoi për çlirimin e vendit nga pushtimi osman. Ajo u themelua në Kuvendin Kombëtar të Pejës, më 23-29 janar 1899, ku morën pjesë mbi 450 vetë, të ardhur nga vise të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht nga qendrat e vilajetit të Kosovës. Në Kuvendin e Pejës u parashtrua kërkesa për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare dhe vendosjes së një statusi apo kushtetute të veçantë për administrimin e tyre, zbatimi i së cilës do të çonte në formimin e një province të vetme territoriale administrative të qeverisur nga shqiptarët. Lidhja e Pejës e shtriu autoritetin e vet në gjithë vilajetin e Kosovës, që ishte vatra e saj kryesore dhe më pas në atë të Shkodrës, të Manastirit e të Janinës. Vendimet e Lidhjes u miratuan në mbledhje të gjera popullore, që u organizuan në krahina të ndryshme të vendit, ndër të cilat më të rëndësishmet ishin ato të Sanxhakut të Prizrenit, të vilajetit të Shkodrës, të Dibrës, Ohrit, Elbasanit etj., ku u formuan komitetet lokale. Projektet e atdhetarëve shqiptarë për të thirrur një kuvend të ri, që do ta konsolidonte përfundimisht Lidhjen, hasën në kundërshtimin e vendosur të Portës së Lartë. Në vjeshtën e vitit 1899, krahu radikal i lëvizjes së udhëhequr nga Lidhja e Pejës kaloi në organizimin e qëndresës së armatosur kundër perandorisë osmane. Porta e Lartë, në pranverën e vitit 1900, ndërmori masa të forta ushtarake dhe hodhi kundër Lidhjes Shqiptare të Pejës ushtri të shumta, që çuan në shtypjen e saj.ATSH