Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEC: Niveli i lumenjve nën nivelin kritik

EC: Niveli i lumenjve nën nivelin kritik

Kreu i Drejtorisë së Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Robert Hysenllari informoi sot rreth situatës së krijuar nga reshjet e shiut dhe dëborës në vendin tonë. Në një deklaratë për mediet, Hysenllari tha se i gjithë territori i vendit vijon të jetë i përfshirë nga reshje shiu si dhe reshje bore në relievet malore mbi 600 metër, por nga të gjitha raportime në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile nuk paraqiten problematika të theksuara. Ai bëri me dije se priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet e tjera priten reshje mesatare. Sipas tij, reshjet priten të shoqërohen edhe me shtrëngata në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër. Hysenllari deklaroi se niveli i lumenjve është nën nivelin kritik, duke mos paraqitur problem për përmbytje në pjesën më të madhe të tyre. Gjithashtu, ai nënvizoi se hidrovoret janë gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk paraqesin problem për përmbytje. “Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës të Fierzës ditën e sotme janë 12 mm, Prurjet janë 1400 m3/s. Sasia e reshjeve në basenin ujëmbledhës Koman-Vau i Dejës janë 15 mm, prurjet janë në Koman 650 m3/s dhe Vau i Dejës 200 m3/s. Në kaskadën e Drinit vijojnë shkarkimet me 300 m3/s. Ditën e sotme si pasojë e uljes se sasisë së reshjeve në qarkun Lezhë, kemi shkarkime në Digën Ura e Fanit, me 80 m3/s”, informoi Hysenllari. Për sa i përket furnizimit me energji, ai bëri të ditur se ka problematika vetëm në disa zona rurale të qarqeve Tiranë, Elbasan, Kukës dhe Shkodër, ndërkohë që forcat e OSHEE vijojnë punën pa ndërprerje për të rikthyer normalitetin. Ai deklaroi se në qarkun e Shkodrës nuk ka zgjerim të hartës së sipërfaqes së raportuar të përmbytur një ditë më parë ndërsa kalohet me mjete të larta vetëm rruga e Obotit, ku ka prani uji. “Në qarkun e Lezhës total ka rreth 770 ha tokë bujqësore të përmbytur, në ish kënetën e Torovicës, njësia administrative Balldren, në ish kënetën Spiten –Tresh Bashkia Lezhe, në njësinë administrative Zejmen, në ish-kënetën Gjonëm, Bashkia Kurbin. Në Malësinë e Madhe po punoihet për zhbllokimin e aksit Bogë-Theth, të bllokuar për shkak të rënies së orteqeve në vendin e quajtur “Tunelet Panoramike”, deklaroi ai. Kreu i Drejtorisë së Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile tha se në të gjitha akse rrugore që kanë problematika në rrëshqitjen e dherave rënien e gurëve apo dëmtimet e trupit të rrugës , nga forcat e ARRSH dhe të bashkive po punojnë për pastrimin dhe riparimin e tyre. Pa probleme të theksuara paraqitet situata në qarkun e Kukësit, ku gjatë ditës së djeshme ka pasur reshje bore me trashësi 10-15 cm, rrugët nacionale janë të hapura dhe qarkullohet normalisht. Edhe në këtë qark, punonjësit e emergjencave dhe firmat kontraktore janë ne terren dhe në gatishmëri. Sa i përket situatës në qarqe të tjera të vendit, Hysenllari bëri me dije se “në qarkun e Gjirokastrës, në Bashkinë Këlcyrë, në lagjen Kalemaj, fshati Katundishtë, njësia administrative Deshnicë, ka rrëshqitje dhe fundosje të tokës nga baza rreth 1 m, në një sipërfaqe rreth 2 ha. Brenda kësaj sipërfaqe përfshihen 4 banesa dhe 4 stalla bagëtish. Në vendngjarje ka shkuar një grup pune për konstatimin e dëmeve. Banorët janë evakuar nga banesat dhe janë strehuar tek të afërmit e tyre. Në qarkun Korçës ka pasur reshje bore trashësia e së cilës është 10-25 cm. Të gjitha akset rrugore janë të hapura. Në bashkinë Shkodër në fshatin Obot, njësia administrative Ana e Malit operuan 4 trupa me 1 mjet të kalueshmërisë së lartë”. Ai tha se situata e emergjencës në të gjithë territorin është nën kontroll, ndërsa bashkëpunimi dhe angazhimi i të gjithë institucioneve dhe strukturave të sistemit të mbrojtjes civile është i lartë. Ai deklaroi se Agjencia e Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit do të vijojë të jetë në gatishmëri për çdo kërkesë nga pushteti vendor. “Gjithashtu përsërisim thirrjen që qytetarëve në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të njoftojnë strukturat vendore në çdo rast nevojë”, përfundoi deklaratën për mediet Kreu i Drejtorisë së Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments