Qeveria e Kosovës ka deklaruar se përballja me përmbytjet e shkaktuara nga reshjet atmosferike po vazhdon edhe sot, teksa institucionet dhe mekanizmat e tyre kanë vazhduar punën pandërprerë në menaxhimin e situatës dhe në ndihmë të qytetarëve. Qeveria ka treguar se cilat janë vendet më të prekura nga vërshimet. “Deri më tani situatë më e vështirë është vërejtur në: -fshatrat Verboc dhe Barilevë të Komunës së Prishtinës; -në fshatrat Sekiraq, Sibofc dhe Reçicë të Podujevës; -në komunën e Skenderajt; -në Istog, ku ka pasur edhe raste të evakuimit, të cilët janë akomoduar në Qendrën e Komunale të Mjekësisë Familjare; -në Klinë, ku po ashtu janë evakuar mbi 40 familje, kurse në fshatin Shtaric, falë ndërhyrjes së policisë dhe autoriteteve është shmangur një situatë e cila rrezikonte jetën e dy qytetarëve; – në lagje të ndryshme të Komunës Jugore të Mitrovicës janë vërshuar; -në Komunën Veriore të Mitrovicës, ku probleme më të theksuara janë paraqitur në Lagjen e Boshnjakëve ku janë rrezikuar 7 shtëpi; -në Komunën e Zveçanit, ku janë rrezikuar 40 shtëpi, – në fshatrat Kutnje dhe Kernin i poshtëm të komunës së Leposaviqit, ku 4 familje janë evakuar dhe 20 shtëpi janë në rrezik, ndërsa në Zubin Potok në rrezik janë 30 shtëpi”, ka bërë të ditur qeveria përmes një postimi në Facebook. Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet shtetërore, siç është potencuar, do të qëndrojnë pranë banorëve të komunave, ku ka pasur vërshime, duke i ndihmuar dhe mbështetur ata. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sot ka informuar se situata e përgjithshme hidrometeorologjike në pjesën më të madhe të vendit ditëve të fundit është përkeqësuar si pasojë e reshjeve intensive të shiut, sidomos në disa pjesë të vendit. Sipas IHMK-së, situata më e rënduar është në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të vendit. Instituti ka bërë të ditur se reshjet e shiut me intensitet të ndryshuar, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar, duke u bazuar në situatën e vështirësuar hidrologjike, ku lumenjtë kanë dal prej shtretërve të tyre, duke shkaktuar përmbytje. Ndryshe, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, dje janë shkaktuar vërshime në disa komuna të Kosovës, si Pejë, Mitrovicë, Istog, Podujevë, Skenderaj. ATSH
Vendet më të prekura nga përmbytjet në Kosovë
RELATED ARTICLES