Kreu i Bashkisë së Lezhës dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kanë inspektuar situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut në Lezhë. Kryebashkiaku Ndreu bëri me dije se deri më tani janë 5 familje te evakuuara, të cilët janë strehuar në hotel, ndërsa shtoi se Bashkia po punon për menaxhimin e situatës. “E kemi menaxhuar situatën. Kemi evakuuar 5 familje, i kemi çuar në hotel. Urojmë të mos kemi pasoja të tjera të rënda në vijim. Intensiteti i reshjeve ka rënë, edhe uji po tërhiqet, por do presim në orët në vazhdim se çfarë do të ndodhë”, tha Ndreu. Manja theksoi se situata është nën monitorim të vazhdueshëm, teksa shtoi se prioritet ka jeta e qytetarëve. “Shërbimi i Emergjencave Civile është këtu, do monitorojmë situatën në vijim. Ka koordinim, nuk kemi patur dëme në njerëz dhe në pronat e qytetarëve. Është një situatë ku duhet të jemi të gjithë bashkë. Me natyrën nuk luftojmë dot, por të kujdesemi për jetën e qyteraëve, pronën e qytetarëve, është detyrë e Bahskisë së Lezhës dhe Emergjencave Civile”, tha Manja. Më herët gjatë kësaj të enjte, në një raportim mbi situatën në vend, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se situata është e menaxhueshme, teksa theksoi se vërshime të shpejta të lumenjve dhe rrëshqitje të dherave priten në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër. RTSH