Shqipëria do të çelë ambasadën e saj në Kiev, Ukrainë. Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin për hapjen e misionit diplomatik “ambasadë” të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev. Pak ditë më parë u shënua dhe 30-vjetori i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Kryeministri Edi Rama informoi se, gjatë një bisede telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy kishin diskutuar për çeljen e ambasadës shqiptare në kryeqytetin ukrainas. Njëkohësisht në mbledhjen e sotme të qeverisë, u vendos për mbylljen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë. Prej datës 24 shkurt 2022, thuajse një vit, Rusia filloi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës, fqinjit të saj në jugperëndim. Për hapjen e këtij misioni diplomatik, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2023. ATSH