Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në një postim ne rrjetet sociale se është shpallur projekt-ideja që do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e Venecias. Projekti që do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 18-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venecias 2023 është “Përsiatje të pakohë ose: Si mësojmë të jetojmë në realitete të sintetizuara (Untimely Meditations or: How We learn to live in synthesized realities)”. Ky projekt është paraqitur nga Era Merkuri, (arkitekte dhe drejtuese e ekipit), nga Martin Gjoleka (arkitekt), Ani Marku (arkitekt) dhe Geraldo Prendushi (artist digjital). Bienalia e Arkitekturës do të jetë e hapur për publikun nga 22 maj – 26 nëntor 2023. Tema e kësaj bienaleje do të jetë “Laboratori i së ardhmes”. Ajo është përzgjedhur nga kuratorja e edicionit të 18-të, Lesley Lokko. Ministria e Kulturës shpalli thirrjen në nëntor të vitit 2022, për projektide të frymëzuara nga një vëzhgim i kujdesshëm i arkitekturës bashkëkohore dhe i shoqërisë shqiptare, sidomos aty ku kjo bën ndryshimin, si dhe mjetet vizuale përmes të cilave ato do t’i komunikohen publikut të gjerë dhe profesionistëve. Përzgjedhja e kandidatëve kaloi në dy faza: faza e parë ishte ajo e përzgjedhjes së projektideve më të mira dhe faza e dytë, ajo e paraqitjes së projekteve të plota të pavijonit shqiptar. ATSH