Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIMarrëveshje për parandalimin e falsifikimit të monedhave

Marrëveshje për parandalimin e falsifikimit të monedhave

Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë nënshkruar sot një marrëveshje për parandalimin e falsifikimit të monedhave. Marrëveshja u nënshkrua në Tiranë, nga krerët e tre institucioneve, respektivisht Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Prokuror i Përgjithshëm, Olsian Çela. Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi se parandalimi dhe mbrojtja e monedhave ndaj falsifikimit është një sfidë e përbashkët e të gjitha autoriteteve kompetente kombëtare. “Të dhënat e fundit tregojnë një rënie të konsiderueshme të numrit të kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ku për vitin 2022 numri total është vetëm 343 copë, kundrejt një gjendjeje mesatare kartëmonedhash në qarkullim prej 157.5 milionë copësh ose 2.2 copë kartëmonedha të falsifikuara për 1 milion copë në qarkullim, kundrejt 5.4 në vitin 2021. Ndërsa, sa i përket monedhave metalike, prerja 50 Lekë vijon të jetë e vetmja monedhë e falsifikuar, në sasi të papërfillshme, me vetëm 79 copë, në vitin 2022, kundrejt 250 milionë copë monedhash në qarkullim. Treguesi tepër i ulët i kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare të falsifikuara kundrejt kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, e rendit Shqipërinë ndër vendet me treguesin më të ulët të kartëmonedhave të falsifikuara”, bëri të ditur ai. Ai theksoi se banka qendrore ka ndërmarrë hapa konkretë për të parandaluar falsifikimin dhe për të ruajtur besimin e publikut te Leku. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi se kjo marrëveshje vjen si detyrim edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, konkretisht BE, që ka një vëmendje të posaçme në këtë drejtim. “Këto marrëveshje krijojnë një terren për të luftuar më me efikasitet këtë veprimtari”, tha ai. Ndërsa Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela bëri të ditur se standardizimi i komunikimit ndihmon në rritjen e efikasitetit të hetimit. Ai theksoi se në 5 vitet e fundit ka një tendencë në rënie të falsifikimit të monedhave “Evidencat tregojnë se ka rreth 70-80 procedime penale në vit. Në vitin 2021 ka një rënie në rreth 60 procedime, ndërsa të dhënat paraprake të vitit 2022 flasin për një numër edhe më të vogël”, tha ai. Banka e Shqipërisë, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, vë në dispozicion të institucioneve ligjzbatuese të gjithë përvojën e saj njerëzore, integritetin dhe aftësitë profesionale, si dhe bazën e nevojshme teknike në fushën e analizës, identifikimit dhe klasifikimit të çdo monedhe të dyshuar. Palët e angazhuara në këtë marrëveshje marrin përsipër të transmetojnë/transferojnë mostra të kartëmonedhave dhe monedhave të dyshuara dhe, nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë angazhohet të centralizojë ekspertizën dhe klasifikimin e mostrave të monedhave kombëtare apo të huaja të zbuluara në qarkullim, si dhe ato gjatë procedimit penal, duke e konsideruar këtë proces si mënyrën më të mirë për njohjen reale dhe monitorimin e fenomenit të falsifikimit në vendin tonë. Banka e Shqipërisë, gjithashtu, ka marrë angazhimin që të njoftojë në kohë reale institucionet përkatëse për rastet me monedha të falsifikuara të zbuluara në qarkullim në territorin e vendit tonë. Trajnimi dhe shkëmbimi i eksperiencës është një angazhim tjetër institucional i Bankës Shqipërisë në raport me dy palët e tjera nënshkruese të marrëveshjes. ATSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments