Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çeli sezonin e ri koncertor për vitin 2023. Në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, u luajt “koncerti nr. 2 për violonçel dhe orkestër” nga Joseph Haydn si dhe vepra madhore e Çajkovskit, simfonia nr. 6 “Patetike”, shkruar pak ditë para ndarjes nga jeta, të kompozitorit të madh rus. Dirigjenti në këtë nisje të stinës koncertore, ishte Oleg Arapi dhe solist në violonçel Georgi Anishenko, solist i Operas Kombëtare të Belgjikës “La Monnaie”, të cilët elektrizuan sallën. I lindur në Minsk të Bjellorusisë, pasionin për violonçel, Georgi Anishenko e ka kultivuar që në fëmijëri, kur filloi studimet në moshën 5-vjeçare në Kolegjin Shtetëror të Muzikës dhe për herë të parë ka luajtur në moshën 8-vjeçare në një turne europian. Drejtor artistik i orkestrës së RTSH, për sezonin 2022-2023 është Aurelien Azan-Zielinski, i cili vjen pas një përvoje 7-vjeçare si drejtues i Orkestrës Kombëtare të Bretanjës. Ai është gjithashtu profesor në Shkollën e Lartë të Muzikës, në Lozanë. ATSH