Gjatë vitit 2022 eksportet bujqësore drejt vendeve të rajonit dhe botës arritën vlerën e 55.1 miliardë lekë duke shënuar nivelin më të lartë të rritjes së tyre në bujqësi. Sipas statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, krahasuar me një vit më parë eksportet bujqësore u rritën në sasi me 15.6% gjatë vitit 2022 dhe në vlerë 18.1% më shumë. Përkatësisht eksportet bujqësore nga 360.7 mijë tonë në vitin 2021 arritën në 416.8 mijë tonë. Ndërsa në vlerë u rritën nga 450 milionë dollarë në 500.8 milionë dollarë. Gjeografia e eksporteve bujqësore shqiptare është shtrirë në 78 shtete të botës, ku në 16 vende kemi dyfishim të eksporteve. Gjithashtu, eksportet bujqësore u eksportuan edhe në 10 vende të reja. Gjatë vitit të shkuar u krijuan ura bashkëpunimi me Francën, Italinë dhe Gjermaninë për eksportin e ullirit, vajit të ullirit, verën dhe mjaltin. Produktet më të eksportuara sipas sasisë janë pjeprat dhe shqalqinjtë me 18.4%, domatet me 15.5%, kastravecat me 14%, agrumet me 9.8%, zarzavatet me tjera 9.2%, lakrat me 9%, bimët aromatike dhe medicinale me 4.8% dhe mollët e ftonjtë me 3.2%. Bimët midicinale dhe aromatike kanë shënuar vlerën më të madhe të produkteve të eksportuara 23.8% të eksporteve të kategorisë bujqësore, domatet me 15.6%, kastravecat me 12,1% dhe zarzavatet e tjera me 11%. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural krahas investimeve në vepra vaditëse dhe kullimi, në kushtet e krizës nga lufta në Ukrainë, përmes Skemës Kombëtare ka mbështetur me financim fermerët për uljen e kostove të prodhimit duke alokuar 5.1 miliardë lekë dhe mbështetur drejtpërdrejt rreth 48 mijë fermerë. Gjithashtu nëpërmjet programit IPARD vetëm në vitin 2022 janë investuar 19 milionë euro rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese për bujqësinë shqiptare. Sipas statistikave, eksportet e zarzavateve rezultuan me rritjen më të madhe në qarqet me bujqësinë më intensive në vend, si Berat, Lushnjë, Fier e Divjakë, ku sigurohet mbjellje me dy sezone. ATA
Prodhime bujqësore të eksportuara në 78 vende të botës
RELATED ARTICLES