Norma vjetore e inflacionit të Argjentinës u rrit në 94,8% në dhjetor, niveli më i lartë në 30 vjet, deklaroi zyra e statistikave të vendit Indec. Në vitin 2021, norma vjetore e inflacionit në vendin e Amerikës së Jugut, që po përballet me një krizë të rëndë financiare dhe ekonomike, qëndroi në 50,9%. Në dhjetor, çmimet e konsumit u rritën me 5,1% krahasuar me një muaj më parë, sipas Indec. “Përgjegjësia jonë dhe sfida jonë më e madhe është të ulim inflacionin, sepse është ethet e një ekonomie në vështirësi”, shkroi në Twitter ministri i Ekonomisë Sergio Massa pas publikimit të të dhënave. ‘’Kjo mund të arrihet përmes menaxhimit të shëndoshë financiar, disiplinës, respektimit të objektivave të qarta dhe një qasjeje të përgjegjshme në të gjitha fushat”, shtoi ai. Norma e inflacionit të Argjentinës është një nga më të lartat në botë. Për të financuar deficitin buxhetor, banka qendrore e vendit të Amerikës së Jugut vazhdon të emetojë para’. Për më tepër, Argjentina vuan prej vitesh nga një krizë e rëndë ekonomike për shkak të një aparati shtetëror të fryrë, produktivitetit të ulët në industri dhe një ekonomie të madhe nëntokësore që i privon shtetit shumë të ardhura nga taksat. ATA