Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIMbi 6 mijë blegtorë, përfitues nga Skema Kombëtare

Mbi 6 mijë blegtorë, përfitues nga Skema Kombëtare

Bujqësia mbetet sektori më vital i ekonomisë shqiptare, ku padyshim vend të rëndësishëm zë edhe blegtoria e cila ka hyrë tashmë në stadin e konsolidimit të fermave me numër të lartë krerësh. Referuar statistikave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2022, u rrit me 20% numri i fermave blegtorale me mbi 200 krerë të imta, krahasuar me vitin 2021. Në vitin 2022 u shënuan 3 030 ferma blegtorale me mbi 200 krerë të imta, kundrejt 2 528 fermave që ishin në vitin 2021. Gjithashtu gjatë vitit 2022 u rrit me 68% numri i fermave blegtorale të licencuara. 47 ferma të reja blegtorale u regjistruan nga AKVMB në 2022, ndaj 28 fermave të reja që u licencuan në vitin 2021. Në mbështetje të këtij sektori, është shtuar nga viti në vit dhe fondi nga buxheti i shtetit për subvencionimin e blegtorëve. Financimi për blegtorinë nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në bujqësi, për vitin 2022, u rrit në 1 517 325 200 lekë ndaj 1.030.784.000 lekë që ishte në vitin 2021. 6 211 blegtorë, përfituan nga Skema e Mbështetjes, për vitin 2022, kundrejt 4 316 blegtorëve që përfituan në vitin 2021. Në totalin e 9 masave mbështetëse që adresoj Skema Kombëtare e Mbështetjes 2022, blegtoria kryesoj me 70 % të fermerëve në 12 qarqet e vendit që aplikuan, për të përfituar subvencione deri 360 mijë lekë financim të drejtpërdrejtë për fermerët që kanë tufa blegtorale me mbi 100 krerë dele ose dhi. Sipas AZHBR-së, mbështetja për tufën bazë të matrikulluar (kafshët riprodhuese), për fermat me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi, shkon në vlerën 1 200 lekë/krerë, por jo më shumë se 360 000 lekë për subjekt. Ndërsa për fermat me jo më pak se 10 krerë lopë, mbështetja është në vlerën 10 000 lekë/krerë, por jo më shumë se 500 000 lekë për subjekt. Falë skemave të mbështetjes dhe programit IPARD, në sektorin e blegtorisë janë ngritur dhe po zhvillohen shumë biznese me bazë prodhimet e bulmetit, ku veçohen ato agroturistike, që po frekuentohen gjerësisht nga vizitorët e turistët e huaj në çdo stinë të vitit, për kulinarinë dhe produktet tradicionale që servirin. Sot fermat e mëdha blegtorale merren jo vetëm me mbarështimin e bagëtive dhe prodhimin e qumështit, por në sajë të programit IPARD II po shohin mundësinë e zgjerimit të kapaciteteve edhe në përpunimin e qumështit, përmes blerjes së makinerive dhe pajisjeve të teknologjisë së lartë që garantojnë ruajtjen e cilësisë së qumështit. Konsolidimi dhe formalizimi i këtij sektori, bashkë me punën e madhe kolosale të Ministrisë së Bujqësisë dhe institucioneve përkatëse për rritjen e sigurisë ushqimore, bëri që Shqipëria të niste në fund të vitit 2022 eksportet e mishit drejt Arabisë Saudite duke shënuar kështu një zhvillim madhor për blegtorinë dhe tregjet e reja të eksporteve bujqësore. ATA

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments