Teatri Kombëtar po përgatit të vërë në skenë komedinë “Të prezantoj babain”, shkruar nga mjeshtri i komedisë angleze, Alan Ayckbourn, fitues i “Tony Award” në 2010 dhe “Laurence Olivier Award” në 2009. Kjo komedi angleze vazhdon të luhet në skenat e teatrove më të rëndësishme botërore, që nga suksesi që korri në vitin 1965. Në skenën e ArTurbinës do të vijë me regjinë e Adelina Muçës, skenografi të Marçela Llanës dhe kostumet nga Lira Zahiri. Vepra ka vetëm dy akte dhe katër personazhe. Në role interpretojnë Gentian Zenelaj, Suela Bako, Ervin Doko dhe Alessia Xhemalaj. “Të prezantoj babain” ose siç njihet botërisht “Relatively Speaking” është shembulli tipik anglez i “komedisë së konfuzionit” apo paqartësive që krijohen për të mbajtur pezull dhe argëtuar publikun. Alan Ayckbourn ka lindur në Londër në 1939 dhe ka shkruar më shumë se 70 komedi, shumica e të cilave kanë qenë të suksesshme. Teatri Kombëtar e sjell komedinë e Ayckbourn në datat 11-15 janar, në skenën e ArTurbina. ATA