Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se gjatë këtij viti do të pasurojnë flotën e mjeteve ajrore me dy avionë për shuarjen e zjarreve. Në konferencën për mediet duke prezantuar projektet për 2023, Peleshi tha se bëhet fjalë për avionë që janë me çmim të përballueshëm për Shqipërisë si dhe të përshtatshëm për situatën e zjarreve në vend. Ai tha se kemi vendosur që prokurimet e rëndësishme t’i delegojmë te agjencia e prokurimeve të NATO-s. Sipas tij, kontratat e reja të mirëmbajtjes nëpërmjet NSPA do të jenë për 3 helikopterë COUGAR dhe 2 helikopterë të Emergjencës Civile Gjithashtu, ministri deklaroi se angazhimi për të arritur 2% të GDP-së buxhet mbrojtjeje, është për vitin 2024 dhe ka një grafik se si do të shkohet deri aty. “Ne kemi ecur sipas atij grafiku, pak a shumë. Për vitin 2023, duhet të jemi 1,85% të GDP-së dhe jemi pak më tepër. Në vitin 2024, do të shkojmë në 2% të GDP-së pa dyshim”, tha Peleshi. Në lidhje me tensionet në Kosovë, ministri nënvizoi se “invazioni rus në Ukrainë i ka tronditur të gjithë ekuilibrat dhe kur ka tronditje, vatra të fjetura nisin të aktivizohen. Ballkani Perëndimor mund të mos jetë fronti apo vatra e parë potenciale e ndonjë konflikti pas Ukrainës, por e dyta apo e treta, po. Jemi një nga rajonet edhe gjeografikisht edhe për shkak të ekuilibrave të ndryshëm rajonal, të kërcënueshëm. Shqipëria është e pakërcënueshme, por Ballkani Perëndimor ka 6 vende dhe 3 nga ata nuk janë anëtare të NATO-s”. ATA