Çdo 6 janar të krishterët kremtojnë Theofaninë, dita që përmbyll të gjitha festimet e Fundvitit. Theofania, e njohur ndryshe me emrin Epifania, rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe ka kuptimin “Shfaqja e Perëndisë”. Kjo ditë njihet edhe si Dita e Ujit të Bekuar, pasi Kisha Ortodokse e feston edhe si ditën e pagëzimit të Jezu Krishtit në lumin Jordan. Ndërsa pagëzohej nga Gjon Pagëzori, mbi kryet e Jezusit qëndroi një pëllumb i bardhë, simboli i shfaqjes së Zotit në tokë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë me një nga kryeveprat e Onufrit, tempera në dru e shekullit XVI, vepër e cila gjendet në Muzeun e Artit Mesjetar, Korçë, marrë nga Kisha e Ungjillëzimit, Berat. Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat, me rastin e kësaj dite, solli në vëmendje një nga perlat e shumta, pjesë e koleksionit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri”, “Pagëzimi i Krishtit”, vepër e Johan Çetirit. Ikona është realizuar në teknikën tempera mbi dru dhe fletë ari dhe daton 1812-1814. Në disa qytete të vendit, ku numri i të krishterëve është më i lartë, Kisha Orthodhokse organizon hedhjen e kryqit në det, liqen apo lumenj dhe mes të rinjve besimtarë zhvillohet gara e kapjes së kryqit. Ndërkohë që urohen të gjithë ata, emri i të cilëve rrjedh nga emri Theofani, si Epifani, Epifania, Fan, Fani, Fania, Fanulla, Teo, Foti, Foto, Fotaqi, Teofani, Fotini, Fotinia, Fotina, Fotika, Fotiana, Jordani, Drita, Dritan. ATA
Recent Comments
Qarku DIBER
on
Qarku DIBER
on