Eksportet shqiptare drejt Maqedonisë së Veriut shënuan rritje me 4.5 miliardë lekë përgjatë 11-mujorit janar-nëntor të vitit 2022. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për tregtinë e jashtme, gjatë periudhës janar-nëntor u eksportuan drejt Maqedonisë së Veriut mallra me vlerë rreth 16 miliardë lekë. INSTAT bëri të ditur se, gjatë 11-mujorit të vitit që shkoi edhe importet shënuan një rritje me 2 miliardë lekë. Referuar të dhënave, importet rezultojnë në shifrat e 14 miliardë lekëve, kundrejt 12 miliardë lekëve që ishin në 11 muajt e 2021-shit. Produktet më të eksportuara vazhdojnë të mbeten produktet e freskëta: domate, tranguj, peshk i freskët, agrumet e freskëta, prodhime brumi etj. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut bashkëpunojnë ngushtë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes CEFTA 2006 dhe që nga viti 2011, tregtia mes dy vendeve është liberalizuar dhe operohet pa tarifa doganore. ATA